E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greva e urisë në Universitet. Dekani padit studentët, Një grevist në spital

TIRANE- Përshkallëzohet greva e studentëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës në Kamëz

Mbi 300 studentë kanë bllokuar hyrjen e universitetit sot në mëngjes rreth orës 08.00 dhe nuk kanë lejuar që studentë apo pedagogë të hyjnë në universitet për të nisur normalisht procesin mësimor.

Sic kishin paralajmëruar studentët e Agrobiznesit kanë bojkotuar mësimin dhe kërkojnë të jepet sa më parë një përgjigje mbi kërkesat e tyre

Ndërkohë gjendja e 15 shokëve të tyre të futur në grevë urie sa vjen e rëndohet, sot në ditën e tetë të grevës. Mësohet se rreth orës 10.00 të paradites së sotme një nga studentët grevistë është shtruar me shpejtësi në spital në gjendje të fikti.

Protesta e studentëve që kërkojnë Diplomën e Nivelit të Dytë, pavarësisht mesatares përkrahet dhe nga prindërit e të rinjve, të cilët janë vendosur në ambientet e Universitetit Bujqësor.

Mësohet se po sot paradite Dekani i Fakultetit Ekonomik-Agrobiznes, Bahri Musabelliu ka bërë një kallzim penal ndaj studentëve grevistë për uzurpim të institucionit arsimor.

“Nuk do të heqim dorë pavarësisht presioneve- thotë njëri nga studentët për mikrofonin NEWS 24 -Protesta do përshkallëzohet nëse nuk marrim përgjigje pozitive nga Kryeministri e Ministri i Arsimit ”

Studentët paralajmërojnë se nëse nuk i jepet e drejta për studim atëherë të gjithë ato do të hyjnë në grevë urie në koridoret e Universitetit Bujqësor të Tiranës.

Mbrëmjen e djeshme studentët u përplasën policinë e cila ka tentuar të nxjerrë jashtë ata. Studentët ishin mbledhur para ambientit ku ishin ngujuar shokët e tyre, për një transmetim direkt në tv NEWS 24 për emisionin Studio e Hapur. Forcat policore kanë tentuar t’i shpërndanin studentët dhe ato thonë se janë dhunuar psikologjikisht nga forcat e rendit.

Studentët e grevës së urisë nuk kanë mesataren e kërkuar nga fakulteti, e cila duhet të jetë mbi 7, ndërkohë që në bazë të sistemit të Bolonjës, ata kanë plotësuar kuotën e 180 krediteve për të ndjekur ciklin dyvjeçar. Por, këta studentë nuk i pengon vetëm mesatarja e ulët, por edhe kuotat e pakta që janë dhënë për ciklin e dytë të studimeve.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›