Portugali, 40 të vdekur nga rrëshqitja e dherave
Zyrtarët portugezë thonë se përmbytjet dhe rrëshqitja e dherave në ishullin turistik Madeira kanë provokuar të paktën 40 të vdekur dhe mbi 100 të plagosur. Punonjësit e ekipeve të ndihmave dhe personeli ushtarak nga Portugalia ka mbërritur tashmë në ishull. Sekretari i çështjeve sociale rajonale, Francisco Ramos, u tha gazetarëve se numri i përgjithshëm i të vdekurve mund të jetë në ngritje. Ai tha se nuk ka ende të dhëna të sakta për numrin e njerëzve të humbur. Mediat lokale raportojnë se reshjet e shumta dhe erërat që arritën një shpejtësi prej 100 kilometrash në orë, goditën ishullin në fundjavë, rrëzuan pemë dhe bllokuan rrugët, duke penguar punën e ekipeve të ndihmave. Ishulli turistik Madeira ndodhet rreth 900 kilometra në jugperëndim të Portugalisë.