E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konsullata italiane e Vlorës, viza në tri ditë

Konsulli Sergio Strozzi viziton Sarandën. Kërkon futjen e italishtes si gjuhë të dytë në shkolla

Tani mjaftojnë tri ditë për të marrë një vizë italiane dyvjeçare, sidomos për biznesin. Këtë ka deklaruar nga Saranda konsulli italian në Vlorë, Sergio Strozzi. Ai mori pjesë në përurimin e Farit të Lëkurësit dhe tha se mbështetja më e rëndësishme është ajo që qeveria italiane është duke i dhënë Shqipërisë në përshpejtimin e heqjes së vizave. Konsulli u shpreh se si konsullatë janë shumë të disponueshëm të presin të gjitha kërkesat për viza nga biznesmenët e Sarandës dhe se janë të shumtë ata që shkojnë dhe e kanë prekur ndryshimin me të kaluarën e afërt. “Konsullata është e hapur për të gjithë biznesmenët dhe vizat e biznesit”, tha konsulli italian në Vlorë. Duke iu drejtuar biznesmenëve në mënyrë të veçantë, ai tha se “nëse keni nevojë për vizë, dërgoni e-mail në konsullatë dhe brenda dy-tri ditëve, sidomos për ata që sjellin edhe fatura të blerjeve, pajisen me leje vize deri në dyvjeçare”.

Në një takim zyrtar që konsulli italian ka pasur në Bashkinë e Sarandës, me ftesë të kryebashkiakut Edmond Gjoka, ka hedhur idenë e futjes së gjuhës italiane si gjuhë e dytë e huaj, krahas anglishtes. Kryebashkiaku Gjoka i bëri zotit Strozzi një panoramë të shkurtër të profilit të qytetit të Sarandës, duke evidentuar jo vetëm asetet turistike e pasurinë arkeologjike, por edhe bashkëjetesën harmonike mes komuniteteve të ndryshme krahinore, fetare e kulturore.

Në takimin me konsullin italian, ku ishte edhe drejtorja e zyrës arsimore, Lina Vaso, u bashkëbisedua jo vetëm për procedurat e dhënies së vizave italiane, që janë lehtësuar ndjeshëm aktualisht nga konsullata italiane e Vlorës, por edhe për tema të bashkëpunimit në disa fusha, ku është veçuar si parësore ajo e arsimit. Zoti Strozzi shfaqi interes të posaçëm për binjakëzimin mes shkollave të niveleve e profileve të ndryshme të Sarandës dhe atyre në Itali, që u kërkua nga drejtorja Vaso. Ndërkohë, pasi u informua gjerësisht për shkollat ku mësohet gjuha italiane, u hodh ideja që italishtja të hyjë si gjuhë e dytë, pas anglishtes, në të gjitha shkollat.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›