Zgjedhja e gabuar e Benediktit të XVI
Me keqardhje dhe me shqetësim dëgjuam fjalimin e Papa Benediktit të XVI-të, jo vetëm për faktin se citimet apo komentet e bëra i kalonin caqet e naivitetit apo rastësisë, por edhe për atë se ky fjalim vulosi shmangien tashmë të paralajmëruar nga linja e paraardhësit të tij Papa Gjon Palit të II-të, të linjës së bashkëpunimit të ndërsjelltë apo të njohjes së të drejtave reciproke në themelet e besimit të individit.
Ky padyshim ishte kurorëzimi apo bekimi i një fushate të thekur antimuslimane e cila kishte cekur cepat e globit dhe që për më tepër u provua edhe këtu në Shqipëri e paraprirë nga fjalimi i Presidentit të Republikës në Universitetin e Oxfordit apo së fundmi me paçavurën cituese të A.Lukës në një gjoja gazetë lokale ku rëndë fyhej figura e profetit Muhamed dhe si rrjedhojë e tërë feja islame.
Të jetë vallë një keqkuptim apo rastësi fjalimi i liderit të botës katolike ? Duke parë pozicionin por edhe formimin e tij vështirë të besohet se ai të paktën nuk do të kishte menduar se qoftë edhe një citim i gabuar apo një koment i cekët nuk do të shkaktonin një reperkursion tek besimtaret muslimanë që në më shumë se një rast kishin treguar se janë tepër të ndjeshëm nëse u cënohet sadopak dinjiteti fetar i tyre i mishëruar në figurën e profetit të fundit të të gjithë njerëzimit. Nëse një apo disa karikatura të promovuara nga një gazetë që nuk shquhej për ndonjë “tingëllimë” të fortë në mediat botërore, si rasti i gazetës daneze “Jullanden Posten”, apo tallja e ndonjë gazete nigeriane me profetin e Islamit duke i mveshur atij misset e “Miss Univers”, shkaktuan trazira të përmasave shqetësuese që kushtuan edhe viktima, çfarë do të ndodhte nëse lideri i botës katolike apo mishërimi i Krishtit në tokë do të bënte të njëjtën gjë? Natyrisht që ishte lehtë e parashikueshme që reagimi do të ishte i paevitueshëm. Ajo që asnjëri nuk e dinte përfshirë edhe vetë Papën, është se sa dhe si do të ishte ky reagim. Por atëherë përse Papa iu fut një sipërmarrjeje të tillë? Përse ai zgjodhi këtë rrugë kur padyshim shembulli i rrugës së paraardhësit të tij kishte rezultuar mëse i suksesshëm në ndërtimin e një strukture të qëndrueshme ndërfetare në botë? Arsyet mund të jenë të shumta.
Ringjallja e një epoke konfliktuale në marrëdhëniet në mes të dy feve më të mëdha monoteiste në botë, për më tepër kur bota muslimane ndryshe nga Mesjeta po kalonte vështirësi pas vështirësish si nga ana politike edhe nga ajo ekonomike, ku terrorizmi, me forcë po imponohej si emri i dytë i Islamit, ku luftrat sfilitëse kishin dërrmuar jo vetëm kapacitetin ushtarako-ekonomik të disa vendeve muslimane, por më e keqja kishin ndikuar në shterrimin e kapacitetit intelektual të tyre. E gjithë kjo përbënte një atmosferë të përshtatshme për të nisur një fushatë që ishte pluhurosur dhe mykur nga historia, kjo edhe për faktin se boshti ideor i Papa Benediktit të XVI-të shkonte paralel me “boshtin e së keqes” të formuluar nga ana tjetër e Atlantikut.
Frika se zgjerimi Bashkimit Evropian kishte cekur tashme vendet muslimane, përbënte një ëndërr të keqe për Papën . Deklarata e ashpër e tij në vigjilje të ardhjes në fronin papal në lidhje me futjen e Turqisë në Bashkimin Evropian e zhveshi atë nga petku i mëshirës kristiane duke shfaqur nota shqetësimi dhe frike.
Rritja e popullsisë muslimane në Evropë si nga emigrantët por mbi të gjitha nga konvertimet e evropianëve në fenë islame pa përdorimin e “shpatës” së Muhamedit, zgjerimi i institucioneve të kultit dhe atyre arsimore muslimane në Evropë, por mbi të gjitha abstenimi dhe në shumë raste divorci i evropianëve me kishën duke bërë që shumë të tilla të mbylleshin apo të shiteshin sidomos në Evropën Veriore, janë arsye të vlefshme për të shqetësuar Papën.
Mos pajtimi i shumë qeverive evropiane me gjoja luftën ndaj terrorit në vende të tilla si Irak, Iran etj, laicizmi dhe objektiviteti fetar i BE-së e cila detyroi Athinën zyrtare të hapte xhami në qëndër të kryeqytetit helen, apo deklarata e komisionerit të Bashkimit Evropian, Rehn, se BE është e hapur për futjen e Turqisë dhe e vendeve te Ballkanit Perëndimor në gjirin e familjeve evropiane, se diversiteti kulturor nuk përbën pengesë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, mund ta kenë shqetësuar Papën.
Simpatia mbarëbotërore për rrezistencën 50 vjeçare të palestinezëve ndaj okupatorit hebre, bllofet me armët kimike në Irak, standartet e dyfishta të SHBA-së ku në disa vende muslimane pajtohet me rezultate votimesh diktatoriale dhe në vende të tjera po muslimane gjoja lufton për të sjellë demokraci, humbja e turpshme e Izraelit përballë rrezistencës legjitime të popullit libanez të përfaqësuar nga Hezbullah, grupime të tëra shtetesh të radhitura kundra presioneve që po i bëhen Iranit, jo vetëm që kishin shkaktuar efektin e kundërt ndaj qëllimeve të atyre që i kishin ndërmarrë ato, por kishin zgjuar kureshtje dhe në shumë raste simpati për Islamin dhe besimtarët e shumtë të tij.
Në këtë situatë çfarë i mbetej të bënte Vatikanit dhe përfaqësuesit të tij Papa Benediktit të XVI-të? Kishte dy alternativa. Ose të radhitej në mbrotjen e dialogut, bashkëpunimit dhe të drejtave të një besimi tjetër monoteist, Islamit, ose të pozicionohej në krahun e kundërt duke shpresuar që ky pozicionim do të ndiqej nga i gjithë oqeani i krishterë duke e ndarë globin në dy kampe gjigande dhe duke e bërë të paevitueshme përplasjen.
Papa bëri zgjidhjen e gabuar. Zgjodhi konfliktualitetin në vend të bashkëpunimit, zgjodhi përbuzjen në vend të mëshirës, zgjodhi atë që nuk mund të zgjidhej nga një papë, bari shpirtëror. Por surpriza më e madhe ishte për vetë atë kur u përball më një ngurrim apo edhe kundërshtim nga vetë “grigja” (kopeja) e vet, që duhet thënë në disa raste për nga influenca ia kalonte edhe atyre të muslimanëve. Kjo bëri që shpejtësia me të cilën ai kërkoi ndjesë t’ia kalonte parashikimit të më të mirit.
Pavarësisht rehabilitimit, çarja u bë dhe Papa papritur u kthye në njeriun e vetmisë së madhe duke marrë një mësim të fortë historik se shekulli në të cilin jetojmë është krejt ndryshe nga shekulli i kryqëzatave, se edhe vetë të krishterët me Rilindjen Evropiane i dhane shuplakën më të fortë, kryqëzatave dhe inkuizicionit.
Është gjithashtu për t’u përgëzuar Raporti i Departamentit të Shtetit të ShBA-ve në lidhje me liritë fetare në Shqipëri i vitit 2005, që krejt kundër nga linja që ka ndjekur shteti dhe qeveria shqiptare në raport me fetë, konstaton sidomos se, besimtarëve muislimanë si mazhoranca e popullsisë shqiptare i është bërë padrejtësi në kthimin e pronave por edhe në ndërtimin e objekteve të kultit.
Projekti për vendosjen e figurës thellësisht fetare katolike (murgeshë) si ajo e Nënë Terezës, sado e nderuar qoftë ajo, në kartat e reja të identitetit të çdo shqiptari, përbën jo vetëm një provokim por edhe fyrje të besimtarëve muslimanë. Karta e identitetit të individit përbën identitetin zyrtar të tij në raport me shtetin por edhe me shtetet e tjera dhe nëse do të duhej të vendosej një figurë e tillë gjë që nuk më rezulton e praktikuar në vende të tjera, atëherë minimalja e standartit demokratik do të ishte të merrej mendimi i individit shqiptar për mënyrën se si ai do të identifikohej zyrtarisht.
Mësimi i fundit me Papën Benediktin e XVI -të duhet të jetë një shembull shumë i gjallë në mendjet e pushtetarëve të sotëm që kur bie fjala për ndjenja fetare i trajtojnë votuesit e tyre si qënie prej kartoni që sipër tyre mund të shkruash gjithçka. E kemi theksuar edhe më parë që loja me figurat fetare duke bërë marketing me to për gjoja synime integruese evropiane, së pari do të irritonte vetë ato po të ishin gjallë por do të jepte një përfaqësim jo dinjitoz për shqiptarin në sytë e vendeve të cilave aspirojmë t’i bashkangjitemi.