“Albatros”, shansi i humbur i Bashës
Të gjithë e dinë se interpelancat parlamentare janë një instrument ligjor që përfaqësuesit e popullit ushtrojnë në emër të qytetarëve, për të kontrolluar dhe monitoruar qeverinë. Megjithatë jo gjithmonë interpelancat me kryeministrin janë të bazuara në këtë sens ligjor apo kushtetues. Në shumë raste ato shfrytëzohen nga ana e opozitës për kredo politike apo e thënë ndryshe për propagandë. İnterpelanca e fundit e kryeministrit Berisha në Kuvendin e Shqipërisë , më shumë se e nevojshme ishte një pamundësi për tiu shmangur. Po ti kthehemi pak në retrospektivë historisë së çështjes Albatros, do të vemë re një fakt të pamohueshëm. Ministri më i besuar i Berishës, të cilit ju vu pamëdyshje dhe titulli benjamini i Berishës, tregoi një mungesë të theksuar aftësie, fillimisht për të mos lejuar një skandal të tillë dhe së dyti për të menaxhuar situatën e krijuar pas këtij skandali. Nga pikëpamja politike Lulëzim Basha që për të qënë i sinqertë është një investim direkt i Berishës në forumet e Partisë Demokratike, me performancën e tij në këtë çështje nuk po e meriton mbështetjen tij. Ai erdhi si i katapultuar nga Kosova, dhe për disa muaj u kthye në njeriun kyç të fushatës zgjedhore të vitit duke bërë xhelozë jo pak njerëz me kontribut në PD. Dhe në një kohë kur po përflitet gjithnjë e më shumë për të kandiduar për postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, ndodh një skandal i tillë që nuk i falet minisrit të transporteve. Nuk do të hyj këtu për të gjykuar legjitimitetin e pezullimit të Albatros pasi në një shtet demokratik rregullat e lojës duhen zbatuar si nga shteti aq më tepër dhe nga biznesi. Ky i fundit nuk mund të fshihet nën mbrojën dhe favorizimin e asnjë mbështetësi me post politik. Po nga ana tjetër duhet të dihet se për të fituar zgjedhjet në Tiranë , që padyshim përbën pothuajse një të tretën e poullsisë shqiptare, duhet të investosh mbi një figurë të besueshme. Nga kjo nuk del se Edi Rama ishte një figurë e tillë, por ai ishte produkt i një situate kaotike dhe që vinte si një alternativë ndryshe, për qytetarët e Tiranës të mësuar me të zgjedhur të papërgjegjshëm dhe dembelë. Pra tani nuk do të vlente më për elektoratin kryeqytetas një person aventurier dhe arrogant që i përmbahet parimit mjaft arkaik, “vjedh por dhe punon”. Ky është një model i tejkaluar dhe i dështuar. Nga ana tjetër Lulëzim Basha nëse do të jetë kandidati i demokratëve për të kthyer djathtas bashkinë më të madhe të vendit, duhet të demostrojë një personalitet jo konflikutal dhe që ka shërbyer si shembull sukses në punët që ka drejtuar. Përgjegjësia e tij për çështjen Albatros ka të bëjë së pari me lirinë që ai i dha vartësit të tij për të vepruar sipas qejfit të tij. Z.Dibra një funksionar i lartë i administratës publike , nuk ka asnjë të drejtë dhe kompetencë ligjore apo morale që të ushtrojë presion direkt dhe indirekt mbi Presidentin e Republikës. Reagimi më i parë dhe që nuk duhet të ishte vonuar nga ana e ministrit Basha do të ishte pezullimi i menjëhershëm i Dibrës nga detyra deri sa drejtësia të jepte verdiktin përfundimtar në lidhje me çështjen. Kjo do të kishte shmangur politizimin e çështjes dhe nuk do të përfshinte në të edhe kreun e qeverisë , emri i të cilit më tepër u përdor nga opozita për të goditur armën më të fortë të demokratëve, luftën kundër korrupsionit. Përpjekje kjo e opozitës për të vendosur paralelizma midis praktikave korruptive të qeverisjes së tyre dhe veprimtarisë së deritanishme të kabinetit “Berisha”. Kjo u vërtetua edhe me akuzat që zëdhënësi me dërrasë të zezë i socialistëve drejtoi ndaj familjes dhe të afërmeve të kryeministrit. Për tu kthyer edhe një herë tek reagimi i ministrit Basha, duhet thënë se ky i fundit nëpërmjet besueshmërisë “axhemike” të tij nuk arriti të përceptojë rrezikun e politizimit të një problemi të tillë. Nëse në lidhje me çështjen e Zogut të zi, Basha arriti me vështirësi të fitojë betejën publike me kyetarin e bashkisë , në këtë rast ai nuk i bindi ata pak njerëz në PD që besonin në të si një figurë e re dhe përfaqësuese. Me pak fjalë skandali “Albatros” mund të kthehet në shans të humbur për Lulëzim Bashën. Kjo do të varet nga vendimi i Berishës pasi të ketë bërë një analizë të qetë të punës së çdo ministri.