E Diel, 1 Nëntor 2026

“Në spitale mungojnë aparaturat dhe shërbimet”

 

Në spitalet tona mungojnë aparaturat, ilaçet dhe standardet për të garantuar cilësi shërbimi ndaj pacientëve. Me gjendjen aktuale pagesat informale janë bërë mëse të zakonshme, duke favorizuar ndjeshëm korrupsionin në shëndetësi. Të gjitha këto mangësi i kanë pranuar vetë drejtuesit e sistemit shëndetësor. Sipas tyre, reforma spitalore është tashmë një domosdoshmëri. Gjatë takimit të djeshëm me temë "Shtrirja e skemës në spitale, statusi dhe shkalla e autonomisë", u diskutuan pikat kyçe të reformës së re. Për shkak të një menaxhimi jo të efektshëm në kushtet e një buxheti jooptimal, në shërbimet spitalore hasen dhe shpesh duhen përballuar probleme të ndryshme. Prandaj ka ardhur koha që t'u japim atyre një rrugë zgjidhjeje", tha ministrja Godo. Ndërsa Drejtoresha e ISKSH-së Elvana Hana tha në fjalën e saj se instituti që ajo drejton  do të lidhë kontrata me 42 spitalet e vendit dhe më pas do të jetë drejtuesi i spitalit, i cili do të lidhë kontratë me stafin. "Nëpërmjet kontratave që do të lidhen me sigurimin shëndetësor do të kërkohet me këmbëngulje disipline administrative, disipline financiare dhe disipline profesionale për të siguruar eficencën e shërbimeve shëndetësore, rritjen e produktivitetit dhe përmirësimin e cilësisë së tyre", tha Hana. Ajo u shpreh gjithashtu se pas një sërë diskutimesh me Ministrinë e Financave është rënë dakord që të ardhurat dytësore do të përdoren nga vetë spitalet dhe kjo është një pikë themelore e mirëfunksionimit të skemës së sigurimeve shëndetësore.
Reforma morri mbështetjen edhe të kreut të komisionit të shëndetësisë në kuvend, Tritan Shehu. "Do të mbështesim ndryshimet ligjore që do të legjitimojnë këtë nismë mjaft të rëndësishme e cila më pas do t'i hapë rrugë mirëfunksionimit të tregut edhe në Shëndetësi", tha Shehu. Ndërsa kryetari i Urdhrit të Farmacistëve, Arjan Jaupllari, duke këmbëngulur te shtesa e fondeve, u shpreh se shëndetësia duhet të kthehet në prioritet real të Qeverisë. "ISKSH e ka treguar veten nëpërmjet reformës në parësor që është e aftë të mbajë përgjegjësi dhe mendoj se të gjithë së bashku duhet të nxisim këtë nismë mjaft të rëndësishme për sistemin tonë shëndetësor" tha Jaupllari. I pranishëm në takim ish-ministri i shëndetësisë Maksim Cikuli, aktualisht Këshilltar i Presidentit të Republikës, theksoi se është tejet e nevojshme shtesa e fondeve për shëndetësinë. "E përshëndes këtë nismë dhe mendoj se çështja e parë dhe më e prekshme që duhet të zgjidhet është ajo e medikamenteve në spitale. Dihet gjendja që është sot dhe nëpërmjet një përdorimi më të mirë qoftë edhe të të ardhurave aktuale, pa lënë mënjanë një shtesë fondi të domosdoshme, duhet t'i jepet fund këtyre mungesave të theksuara në spitalet tona", tha Cikuli.        z.ll

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›