E Shtunë, 31 Tetor 2026

Porti i Durrësit: Presim investime nga vendet e NATO-s



Tashmë Shqipëria quhet zyrtarisht vend anëtar i NATO-s dhe njëherësh ka dhe përfiton të gjitha të drejtat (plus detyrimeve) që rrjedhin prej saj. Porti i Durrësit, si porta kryesore e Shqipërisë, një ndër arteriet kryesore të Korridorit VIII, prej vitesh ka hyrë në interesimin dhe planet e investimeve strategjike nga NATO-ja dhe BE-ja. Ky fakt është theksuar edhe në takimin e paralajmëruar nga një ndër vendet anëtare e BE-së dhe NATO-s, Italia, e cila ka organizuar në Durrës konsulencën teknike lidhur me problematikat portuale të Adriatikut. Në ndërhyrjen e tij lidhur me problemin e hapjes së pikave hyrëse të portit, drejtori ekzekutiv i APD-së, Ing. Eduart Ndreu, tha për “standard” se “porti kryesor, ai i Durrësit, nuk është më hermetik për qytetarët dhe hyrja brenda tij nuk është e kufizuar. Porti mbetet në fokus të interesimeve dhe investimeve nga organizmat ndërkombëtare, sepse ai sot ofron siguri dhe shërbime moderne, të njëjta me portet e tjera të Evropës”. Deklaratave të zyrtarëve vendorë lidhur me “kufizimin që i ofron qytetarëve porti”, zyrtarë të APD-së i janë përgjigjur duke reaguar ashpër se “arritjet e portit dhe investimeve që janë bërë në 4 vjet, nuk duhen injoruar, por vlerësuar”. Në konferencën “Logjistika dhe teknologjia e re në zhvillimin e porteve të Korridorit VIII në marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë” morën pjesë intelektualë të qytetit, përfaqësues të grupeve të interesit, si dhe pushtetarë vendorë. Ndryshimet gjeopolitike të hartës së rajonit pas shpalljes ë pavarësisë së Kosovës e bëjnë më të domosdoshëm ndërtimin e Korridorit VIII. Afërsia mes Italisë dhe Shqipërisë mundëson investime të tjera për modernizimin e shërbimeve portuale. Është pikërisht kjo afërsi e cila nxit forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona për rinisjen e Korridorit VIII. Pikërisht këtij bashkëpunimi i shërben edhe ndërtimi dhe modernizimi i portit të Durrësit, si një ndër prioritet kryesore. Modernizimi i këtij porti nënkupton instalimin në mjediset e tij të teknologjive bashkëkohore, si dhe adaptimin e metodave bashkëkohore të funksionimit të sektorëve të ndryshëm të tij. Ndreu u shpreh se “rajoni i Durrësit është i një rëndësie strategjike për shkak të ekzistencës së portit kryesor të vendit, porti nuk është pjesë integrale e zhvillimit të turizmit, pasi ai është i ndarë me barriera nga pjesa tjetër e qytetit”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›