E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beja, thirrje studentëve: Aplikoni për letërnjoftimet



Letër e ministrit për të gjithë studentët

“Mbështesim Këshillin Studentor për sensibilizimin”

Një mënyrë origjinale për të sensibilizuar studentët për të marrë kartat e identitetit ka zgjedhur ministri i Arsimit, z. Fatos Beja. Me anë të një letre të hapur, e cila do të shpërndahet edhe nëpër universitete, ai u ka bërë thirrje studentëve që të shkojnë dhe të marrin “ID tonë evropiane”. Duke përdorur edhe “gjuhën” e tyre, ministri përshëndeti nismat që janë ndërmarrë në “Facebook” për të sensibilizuar të rinjtë. “Karta e re e identitetit tonë shtetëror është e parametrave më të larta në Evropë dhe ju përafron ju denjësisht me studentët perëndimorë. Le ta nxisim bashkërisht këtë përafrim. Unë do të gëzoja shumë që studentët të jenë shtresa e parë e shoqërisë shqiptare që ka 100% ID tonë të re evropiane. Ky do të ishte mesazhi i qytetarit të emancipuar që e do shoqërinë të vendosur fort në dokument, ligj e rregull”, – tha ministri Beja.

Ministri iu referua edhe anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, duke deklaruar se është thjesht pararoja e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, porse për t’u arritur kjo, nevojitet pikësëpari pajisja me letërnjoftimet e reja. “Hyrja në BE, përsëri një aspiratë e fuqishme gjithëkombëtare, kërkon vullnetin dhe angazhimin e të gjithëve. Edhe tuajën, të studentëve, që qenë të parët për ta kërkuar “Shqipërinë si gjithë Evropa”. Ju jeni brezi i shqiptarëve që do të jeni qytetarë komunitarë. Ju do të mishëroni identitetin tonë shqiptar në familjen e madhe evropiane”, – tha ministri.

Ai vlerësoi Këshillin Kombëtar Studentor, që në faqen zyrtare në internet dhe në “Facebook” ka sensibilizuar studentët për t’u pajisur me karta, si një domosdoshmëri për përshpejtimin e liberalizimit të vizave, integrimin dhe zhvillimin e demokracisë tonë në përgjithësi.

Duke u ndalur te çmimi, ministri tha se ulja e çmimit për studentët nga ana e qeverisë ka zhdukur barrierën e fundit që mund t’i pengonte ata për t’u pajisur me letërnjoftime. “Çmimi prej 200 lekësh që vendosi qeveria për të gjithë ata studentë që nuk kanë pasaportë dhe aplikojnë për ID deri në 1 maj, e lehtëson shpejtësinë tuaj të veprimit. Unë ju ftoj të promovojmë bashkërisht me shoqatat tuaja studentore dhe profesorët tuaj që në datën 1 maj të mos ketë student pa aplikuar për ID dhe pa pasaportë. Le të japim mesazhin se studentët tanë janë gjithmonë promotorë të përparimit të atdheut”, – tha ministri.

Duke e cilësuar marrjen e letërnjoftimit si një akt jo vetëm qytetar, por atdhetar dhe dinjitoz, që do të përshpejtojë të gjitha proceset pozitive të vendit, ai u bëri thirrje studentëve që të trokasin në çdo derë për të sensibilizuar mbi këtë domosdoshmëri. “Të dashur studentë, le të shkojmë tek çdo i ri, tek çdo familje, tek çdo mjedis me thirrjen tonë, për të mos humbur asnjë minutë kohë për të aplikuar, për të garantuar zgjedhjet dhe demokracinë. Me këtë akt qytetar, atdhetar dhe dinjitoz, ne hapim edhe një portë tjetër drejt integrimit në Bashkimin Evropian, misionarë elitarë të të cilit ju jeni. Shoqëria shqiptare beson shumë tek ju. Ne besojmë shumë tek ju dhe tek angazhimi juaj. Ju studentë jeni fytyra evropiane e kombit”, – tha z. Beja.

Letërnjoftimet do të jenë vetëm 200 lekë të reja për studentët dhe ata që votojnë për herë të parë, duke hequr barrierat e aplikimit. Në vendin tonë ka mbi 100 mijë studentë, të cilët do të thirren për të hedhur votën më 28 qershor.

Ndryshimet klimaterike do prekin biodiversitetin shqiptar

Biodiversiteti dhe ekosistemi në Evropën Juglindore, ku përfshihet dhe Shqipëria, do të preken ndjeshëm nga ndikimet e ndryshimeve klimatike, që do të çojnë në humbjen e mëtejshme të llojeve dhe habitateve, shumica e të cilave tashmë janë të rralla e të rrezikuara.

Ky është përfundimi i tre raporteve, përgatitur në kuadër të një projekti njëvjeçar nga Qendra Evropiane për Mbrojtjen e Natyrës, në bashkëpunim me Qendrën Rajonale të Mjedisit (REC) për Evropën Qendrore dhe Lindore. Për sa i përket Evropës Juglindore, sipas zyrës së REC në Shqipëri, në raport u përfshinë pesë shtete, Shqipëria Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia. Nga raporti del qartë se tendenca e rritjes së temperaturave, presioni mbi burimet ujore, rritja frekuente e kushteve të këqija të motit dhe përmbytjet, rritja e erozionit bregdetar dhe shtimi i zjarreve në pyje do të vazhdojë. Në shumë raste këto janë të dukshme dhe po ushtrojnë ndikim mbi njerëzit, vendet dhe punësimin në zona të rajonit.

Ndikimi i këtyre elementëve në biodiversitet konfirmohet tashmë nëpërmjet këtij projekti dhe nga aktorët e interesuar, shkencëtaret dhe ekspertët në rajonin e Evropës Juglindore.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›