Në pranga 19-vjeçari, vrau nënën dhe më pas fshehu krimin
Sektori Kundër Krimeve të Rënda në Shkodër pas punës së kryer arriti në përfundimin se vdekja e viktimës nuk ishte natyrale, por kishte ardhur si pasojë e plagëve të marra nga goditja me armë
Një 19-vjeçar u vu në pranga nga policia e Shkodrës, pasi akuzohet se ka vrarë me armë nënën e tij. Ngjarja ka ndodhur në datën 22 mars të muajit të kaluar, por agjentët e policisë arritën që ta zbardhnin të vërtetën ditën e djeshme. Në prangat e uniformave blu ra Ylber Tahiri nga fshati Vallas, në Shkodër. Një konflikt me nënën e tij, Lumnije Tahiri, ka bërë që i riu ta qëllojë atë me armë, duke e vrarë, ndërkohë që më pas krimi është fshehur. Pas hetimit të kryer nga ana e policisë, u arrit në përfundimin se viktima nuk kishte vdekur nga shkaqe natyrale, por ajo ishte qëlluar me armë. Nëntëmbëdhjetëvjeçari është shoqëruar në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit.
Në datën 22 mars të këtij viti, në fshatin Vallas të Komunës Ana e Malit, në rrethin e Shkodrës, u raportua për një vdekje të ndodhur në familjen Tahiri, ku kishte humbur jetën Lumnije Tahiri. Nga ana e familjarëve të tjerë u paraqit si një vdekje, e cila kishte ndodhur për shkaqe natyrale. Sipas burimeve nga policia, varrimi ishte kryer pa njoftuar në lidhje me shkaqet e vdekjes, duke fshehur në këtë mënyre krimin e kryer dhe duke e paraqitur si vdekje natyrale. Megjithatë, duket se një gjë e tillë nuk e bindi policinë. Sektori Kundër Krimeve të Rënda në Shkodër nisi menjëherë nga puna. Pas ekspertizës mjeko-ligjore të kryer rezultoi se vdekja e viktimës kishte ardhur si pasojë e plagëve të marra nga goditja me armë. Gjithashtu u morën në pyetje persona të tjerë që kishin lidhje me këtë ngjarje. Nga hetimet e kryera rezultoi se autor i kësaj ngjarjeje ishte djali i viktimës, Ylber Tahiri, 19 vjeç. Ai kishte qëlluar ndaj nënës së tij, duke e lënë të vdekur me një automatik tip kallashnikov, pas një konflikti të ndodhur midis tyre në shtëpi. Agjentët kryen edhe një kontroll në shtëpinë e të arrestuarit, ku sekuestruan edhe armën me të cilën u krye krimi, një automatik kallashnikov model 56. 19-vjeçari u vu në pranga dhe u shoqërua në qelitë e paraburgimit. Në ditët në vazhdim ai pritet të dalë përpara Gjykatës së Rrethit Shkodër, për të marrë masën e arrestit. I riu akuzohet për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me dashje” dhe “mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit”.