Postfinalja e Champions flasin protagonistet e super-sfides ne Mynih

Triumfi në Champions League i jep të drejtën trajnerit Roberto Di Mateo, i cilësuar thjesht si një zgjidhje e përkohëshme në stol që të pretendojë titullin “Mr Chelsea”. Në harkun e tre muajve punë, italiani i dha bluve dy trofe, ku më i rëndësishmi është padyshim ai i aktivitetit më prestigjioz për klube dhe regjistroi suksesin më të rëndësishëm në historinë 107 vjeçare të Çelsit.
“Futbolli, ashtu edhe jeta, në shumë raste është i paparashikueshëm dhe i çmendur. Nuk mendoj se dikush e kishte parashikuar këtë që ndodhi në tre muajt e fundit të sezonit tonë. Kemi përjetuar një vit të vështirë, por mbyllja e sezonit me triumfin në Champions është një sukses i jashtëzakonshëm. Triumfi ishte i merituar për pasionin dhe sakrificën që treguan lojtarët, pasi fituam një ndeshje që vetëm 7 minuta përpara fundit të kohës së rregullt dukej e humbur”, thotë ai.
Lojtari i ndeshjes, Didië Drogba, i cili shënoi golin e barazimit të Çelsit që e çoi ndeshjen në shtesë dhe më pas realizoi 11-metërshin vendimtar dukej në qiellin e shtatë.
“Sot po qesh. Disfata në Moskë ishte e dhimbshme për lojtarët, për klubin dhe tifozët, por në Mynih arritëm ta fitonim Champions League. Ishte e jashtëzakonshme, një ndeshje e madhe”, shprehet Drogba.
Frenk Lampard, që mbajti shiritin e kapitenit në finale thekson se triumfi erdhi pikërisht prej Drogba, sulmuesit nga Bregu i Fildishtë.
“Nuk di çfarë të them, fituam. Treguam shpirt të madh, pasi ky ishte realisht një sezon i vështirë. Drogba ishte lojtari ynë kryesor, ai na solli deri në finale dhe shënoi: pa atë nuk do të ishim kampionë të Europës”, nënvizoi Lampard.
Bajerni i Mynihut duhet të fajësojë vetveten për humbjen 4-3 me penallti, pas një ndeshje të dominuar plotësisht dhe të gjithë faktorëve në favor të bavarezëve dhe kjo nënvizohet nga trajneri Jup Hejnkes.
“Kjo është një humbje e hidhur për Bajernin, për skuadrën dhe lojtarët e mi. Jemi shumë të zhgënjyer për mënyrën si përfundoi kjo finale, por kur të jepen kaq shumë raste për shënim duhet ti shfrytëzosh”, deklaroi tekniku i bavarezëve.
Ky është sezoni i dytë radhazi që Bajerni nuk fiton asnjë trofe, edhe pse vetëm pak javë më parë dukej se bavarezët mund të realizonin “tripletën” e fhamshme: kampionat, kupë dhe Champions.