“Potencialet e mëdha të Shqipërisë zgjuan interesin e Emirit dhe Kryeministrit të Katarit”
Prononcim i Kryeministrit Berisha dhënë për TVSH-në. Kompanitë e Katarit do të përqendrojnë investimet në Shqipëri
TIRANE - Kryeministri Sali Berisha u shpreh në një prononcim për TVSH se gjatë vizitës në Katar, është diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, veçanërisht në atë ekonomike, duke siguruar se investitorët e vendit aziatik do të investojnë në bregdetin shqiptar, në ndërtimin e resorteve të mëdha turistike.
“Në Katar erdha me disa qëllime të caktuara. Së pari, të intensifikoi marrëdhëniet politike me Katarin, vend me prestigj të veçantë në rajon dhe më gjerë. Ka shumë arsye që vendi ynë të ketë marrëdhënie miqësore me këtë vend dhe vizita të nivelit më të lartë janë një faktor shumë i rëndësishëm. Në këtë kontekst kam kënaqësinë të konfirmoj se edhe Emiri i Katarit Lartësia e Tij, Al Thani dhe kryeministri i Katarit Shkëlqesia e Tij, Al Thani, pranuan me kënaqësi ftesën për të vizituar Shqipërinë. Së dyti diskutuam mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, në veçanti në fushën ekonomike. Një nga qëllimet e mia kryesore këtu ishte inkurajimi i biznesit të këtij vendi për të investuar në Shqipëri. Dihet që kompani të Katarit kanë blerë dhe po operojnë ose do të fillojnë së shpejti ndërtimin e resorteve të mëdha turistike në brigjet e Shqipërisë”, u shpreh Berisha.
Kreu i qeverisë vuri në dukje se në takimin me komunitetin e biznesit të Katarit, do të paraqesë të gjitha potencialet e mëdha të Shqipërisë.
“Kjo zgjoi interes të madh edhe në takimet politike që pata me Emirin dhe kryeministrin e Katarit”, tha kryeministri.
Berisha tha më tej se një vend të veçantë në bisedimet tona, si dhe një nga qëllimet, është edhe projekti i madh i Semanit.
“Ky projekt prej rreth 2.5 miliardë euro është një nga projektet më gjigante të rajonit dhe më gjerë. Unë me ketë rast ftova qeverinë e Katarit që mbi bazën e interesit komercial të marrë pjesë në këtë projekt, sikundër iu kërkova që të garantojnë sigurimin me gaz të këtij projekti të madh, në rast se nuk përfshihen direkt. E vërteta është që ky projekt zgjoi interes shumë të veçantë, si tek Emiri ashtu dhe tek Kryeministri. Për shkak të interesit të veçantë që treguan ndaj këtij projekti kërkuan që të vijë këtu dhe ministri i Naftës dhe i Gazit, për të diskutuar kryesisht lidhur me projektin. Mendoj se dhe ky ishte një rezultat shumë i rëndësishëm i kësaj vizite, pasi autoritetet e këtij vendi treguan interes real për projektin e Semanit, që është një nga projektet më të mëdha në rajon për rigazifikimin dhe prodhimin e energjisë. Këto ishin qëllimet kryesore dhe temat për të cilat u përqendruam. Mendoj se kjo ishte një vizitë e frytshme dhe pres që së shpejti të vinë në Shqipëri Lartësia e Tij, Emiri i Katarit Al Thani dhe Shkëlqesia e Tij, Kryeministri i Katarit Al Thani”, nënvizoi Berisha.
Gjithashtu, një vend të veçantë në axhendë ka zënë problemi i Kosovës.
Berisha informoi se ky vend ka mirëkuptim për pavarësinë e Kosovës dhe po shqyrton dhe do të njohë pavarësinë e saj shumë shpejt.
“Kryeministri Al Thani më konfirmoi se i ka dërguar një letër kryeministrit Thaçi në të cilën parashtron qëndrimin e favorshëm të Katarit ndaj Kosovës, kështu që çështja e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ky shtet është një çështje kohe jo e gjatë. Shpjegova të gjithë problematikën dhe kontributin e madh që ky vend mund të japë në paqen dhe stabilitetin në rajon, nëpërmjet njohjes së pavarësisë së Kosovës”, tha Berisha.