Sondazhet e “Zogby”, identike me ato të fallxhores Sharlotë te “Zona e Lirë”

LSI-ja komenton sondazhet për zgjedhjet e 28 qershorit
TIRANE - Lëvizja Socialiste për Integrim e ka konsideruar si grotesk sondazhin e ditës së martë të kompanisë amerikane “Zogby” në lidhje me preferencat politike të qytetarëve shqiptarë në prag të zgjedhjet të përgjithshme parlamentare.
Për Sekretarin e Përgjithshëm të kësaj force, Petrit Vasili, ky sondazh që e kuoton Partinë Socialiste si forcën e parë politike në vend nuk ka asnjë dallim nga parashikimet e fallxhores Sharlotë në emisionin “Zonë e Lirë”.
“E ndjekim me një dëshirë dhe po me kaq humor edhe sondazhet e përjavshme që bën fallxhorja Sharlotë, në emisionin e gazetarit të njohur të Arjan Çani. Po me të njëjtin humor kemi ndjekur edhe Sharlot-sondazhet e ‘Zogby’, të cilat ngjajnë si dy pika uji, me sondazhet e Sharlotës dhe duke i parë me këtë këndvështrim dhe me këtë humor dashamirës, mendoj se prezantimi i radhës pas një muaji të këtyre sondazheve të ‘Zogby’-t, apo të Sharlot-sondazheve të Çanit, do të kishin një vend më të përshtatshëm tashmë në një emision të njohur dhe shumë popullor si ‘Portokalli’”, deklaroi Vasili.