Topalli: S’mund të flasë për shoqërinë, një njeriu që ka dhunuar familjen e tij të vogël
Pas një pyetjeje nga studente të Universitetit të Elbasanit, lidhur me lidershipin e opozitës, Kryetarja e Kuvendit ka rimarrë dje debatin për tezat e moralit në politikë, duke deklaruar se s’mund të merrej me politikë askush që ka dështuar në krijimin e një familjeje të mirëfilltë
TIRANE - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka vizituar dje qytetin e Elbasanit, ku ka zhvilluar një takim të veçantë me studentët e Universitetit “Aleksandër Xhuvani”. Duke bashkëbiseduar me ta për dhunën në familje, Kryetarja e Kuvendit theksoi se në emër të bashkimit të shoqërisë nuk mund të flasë një njeri që nuk ka bashkuar familjen e tij të vogël. Duke iu përgjigjur pyetjeve të shumta, të bëra mbi këtë temë nga studente të zonave të ndryshme përreth qytetit të Elbasanit, Kryetarja e Kuvendit ndër të tjera tha: “Refuzoj të pranoj që një person, i cili ka qenë i paaftë për të mbajtur një familje, të flasë për bashkim të një shoqërie, që është familja e madhe shqiptare. Nuk mund ta pranoj si dhembshuri hipokrizinë e shfaqur në rastin e nënë Feridesë. Nuk mund të pranoj që, në emër të bashkimit të shoqërisë, të flasë një njeri, që nuk ka bashkuar familjen e tij të vogël. Në qoftëse pranojmë këtë, ne nuk jemi të vertëtë me veten tonë, me ndërgjegjen tonë, me nënat, fëmijët dhe familjet tona".
Kryeparlamentarja i ka garantuar studentët se “në mandatin tonë të dytë investimet në arsim, do shkojnë në 6 % të buxhetit të shtetit, nga 4 % që janë aktualisht. Tek mësuesi dhe nxënësi, do të fokusohen politikat tona arsimore”.
Kryetarja Topalli u premtoi studentëve se së shpejti do të nisë ndërtimi i një konvikt të ri, ndërkohë që Universiteti i Elbasanit prej disa muajsh ka përfunduar rikonstruktimin e plotë të tij, investim ky që kap shifrat e një milion e gjysmë dollarë.
Duke falënderuar studentët për ftesën, Topalli e konsideroi vizitën e saj si të veçantë, pasi zhvillohet në prag të festës së qytetit, dhe me këtë rast Topalli i uroi ata “Gëzuar festën!”.
Kryeparlamentarja Topalli kujtoi se “kanë mbetur vetëm pak ditë nga Samiti i NATO-s në Strasburg dhe Kehl, ku Shqipëria do ta shikojë veten anëtare fuqiplotë, me të drejta dhe obligime të njëjta si faktorët e tjerë kryesorë, global politik, ekonomik dhe militar botëror”. Topalli vlerësoi se “kjo është një ngjarje historike”.
Duke mbajtur një fjalim përpara studentëve Topalli u përcolli atyre dy mesazhe të rëndësishme, duke u shprehur se “secili prej jush është në atë fazë të jetës ku vendosni se çfarë do të bëni me jetën tuaj, me karrierën tuaj me ato që do të jenë angazhimet tuaja”. Së dyti Topalli shtoi se “paralelisht me këtë, është shumë e rëndësishme se çfarë shteti ka bërë për t’ju mbështetur dhe çfarë do të bëjmë në inkurajimin e ambicieve tuaja pozitive për karrierë, për t’u përfshirë në jetën ekonomike, në biznes, në jetën publike, dhe pse jo, në nivelin më të lartë, atë të vendimmarrjes”.
Në këtë kontekst Topalli u shpreh se “si Kryetare e Kuvendit ndihem shumë mirë dhe krenare për shumë gjëra që kemi realizuar gjatë kësaj periudhe, por mbi të gjitha, jam krenare që ne kemi trajtuar si prioritet arsimin, shkollën, mësuesin, studentin dhe investimet në këtë fushë”.
Topalli iu referua dhe politikave të Presidentit Obama, rreth arsimit, i cili e konsideronte këtë si një nga sfidat kryesore të këtij kombi të madh. Në këtë kontekst Topalli u shpreh se “Duke lexuar ndjeja në qëndrimin e tij të njëjtën sintoni me atë doktrinë që ne kemi realizuar gjatë kësaj periudhe”.
Duke përmendur sfidat e përballuara me sukses nga qeveria, si atë të zhvillimit ekonomik, integrimi në NATO, Topalli nënvizoi se të përballurit me sfidën e arsimit, “është absolutisht investimi me të cilin kurrë nuk humbet”.
Kryetarja Topalli tha se me gjithë këto investime “sot padyshim mund të themi që ne të gjithë bashkë, ia kemi ndryshuar fytyrën Shqipërisë.
“E kemi futur në NATO”, tha Topalli.