E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pr/Ligji per SHISH, Kuvendi shtyn seancen degjimore

TIRANE-Komisioni parlamentar i Ligjeve anuloi dje seancën dëgjimore të planifikuar me drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit, Bahri Shaqiri. Seanca informuese, e kërkuar nga deputetët e maxhorancës, synonte të njihej me qëndrimin që drejtori aktual i shërbimeve inteligjente ka në lidhje me projektligjin që qeveria ka përgatitur për SHISH-in. Gazeta Shqiptare shkruan sot se "anulimi i saj mësohet se është bërë për shkak të presionit në rritje që faktori ndërkombëtar, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë shprehur ndaj amendamenteve të qeverisë”.I kontaktuar dje nga “Gazeta Shqiptare”, kreu demokrat i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali pretendoi se kjo seancë nuk ishte anuluar. Sipas tij, ajo është planifikuar të zhvillohet ditën e premte. Ilir Rusmajli tha se kanë kanë filluar negociatat për të sheshuar divergjencat që kanë palët pro dhe kundër draftit. Për këtë paraditen e djeshme në është zhvilluar një takim ndërmjet drejtorit të SHISH-it, Bahri Shaqiri, drejtorit të kabinetit të kryeministrit, Oerd Bylykbashi si edhe kreu të Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali. Qeveria ka propozuar kufizimin e mandatit të drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit. Përmes një amendimi të ligjit për këtë institucion, ekzekutivi ka parashikuar që mandati i drejtorit të SHISH-it të mos jetë më i pakufizuar, por të zgjasë vetëm 5 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. Me variantin e ri, SHISH bëhet kompetent për të mbledhur informacion për njohjen, parandalimin e krimit të organizuar, të kontrabandës, pastrimit të parave dhe më kryesorja, për korrupsionin e personave që ushtrojnë funksione publike. Varianti i ri i ligjit thekson edhe më shumë varësinë e agjencisë nga kryeministri. Me ligjin e ri, kreu i qeverisë mund t’i kërkojë drejtorit të SHISH-it informacione dhe raportime në çdo kohë dhe për çdo çështje që lidhet me veprimtarinë e agjencisë. Po ashtu, për të mbledhur informacion nga agjencitë e huaja partnere, shërbimit i duhet miratimi i kryeministrit. (s.g/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›