Pranga 60-vjeçarit, dyshime për abuzim me një 5-vjeçar
Pedofilia
Babai i të miturit deklaroi se e kishte kapur të arrestuarin duke kryer veprime të turpshme
Një 60-vjeçar ka përfunduar në prangat e policisë, pasi dyshohet për pedofili me një 5-vjeçar. Ngjarja e rëndë dyshohet se ka ndodhur në Tiranë, ndërkohë që denoncimi është bërë nga babai i të miturit. Sipas të dhënave policore, i dëmtuari 38-vjeçar është paraqitur dy ditë më parë në ambientet e Komisariatit nr.1, duke deklaruar se një fqinji i tij kishte kryer veprime të turpshme me të birin, i cili është vetëm 5 vjeç. Kjo i ka habitur uniformat blu, të cilat menjëherë kanë marrë masat për shoqërimin e të denoncuarit 60-vjeçar, Pjetër N. Nga ana tjetër, oficeri i policisë gjyqësore ka marrë deklaratën e plotë të babait të fëmijës, i cili është shprehur se e kishte zbuluar vetë këtë veprim. Ai ka deklaruar se veprime të tilla ishin kryer në ambientet e banesës së 60-vjeçarit. Më tej, policia ka marrë në pyetje edhe të dyshuarin, që nuk ka pranuar asnjë nga deklaratat e bëra nga babai i fëmijës. Ai ka shpjeguar se familjen e tij e njihte prej kohësh dhe vetëm kishte luajtur me fëmijën, por nuk kishte kryer ndonjë veprim të turpshëm. Gjithashtu, ai ka shpjeguar se familja e të miturit kishte shpifur ndaj tij edhe për disa probleme që kishin mes tyre. Por, kjo nuk i ka bindur oficerët e policisë gjyqësore. Duke parë edhe acarimin e situatës mes dy familjeve, policia ka vendosur arrestimin e të dyshuarit. Sipas deklaratës për shtyp të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, materialet në ngarkim të këtij personi i janë dërguar prokurorisë për ndjekje të mëtejshme. Gjithashtu, psikologët kanë biseduar dhe me të miturin dhe dyshohet se këto veprime të turpshme janë kryer prej 60-vjeçarit. Megjithatë, do të jetë gjykata ajo që do të vendosë masën e sigurisë për këtë person dhe do të vlerësojë provat e mbledhura kundrejt tij.
#