E Shtunë, 31 Tetor 2026

Siguria rrugore, bllokim për makinat e parregullta

Aksioni
Për katër ditë u bllokuan 325 automjete dhe u vendosën 6937 gjoba

Një superaksion është ndërmarrë këto ditë nga policia dhe doganat për bllokimin e gjithë mjeteve të parregullta, pasi sipas ekspertëve ndikojnë në rritjen e aksidenteve rrugore. Burimet zyrtare bënë të ditur se nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me qëllim forcimin e punës së strukturave policore në drejtim të parandalimit të ngjarjeve kriminale dhe rritjes së sigurisë në akset rrugore, është hartuar dhe dërguar për zbatim një plan masash me detyra konkrete për shërbimet e Policisë Rrugore e të Rendit dhe Forcat Lëvizëse Operacionale. Gjatë vënies në zbatim të detyrave të përcaktuara në këtë plan masash, është bashkëpunuar ngushtë edhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave. Në kuadër të këtij plani, nga data 04 deri në 08 shkurt 2010, në të gjithë vendin janë organizuar dhe realizuar kontrolle të përbashkëta të shërbimeve të Policisë Rrugore, të Policisë së Rendit, Forcave Lëvizëse Operacionale dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Gjatë kësaj periudhe, nga këto struktura janë kontrolluar 17 mijë e 214 automjete. Ndërkohë, për shkeljet e konstatuara ndaj drejtuesve të automjeteve janë marrë 6937 masa administrative gjobë, si dhe janë bllokuar 325 automjete. Po në kuadër të këtyre kontrolleve, është marrë masa e pezullimit të lejes së drejtimit në 150 raste për drejtuesit e automjeteve, nga të cilat 126 për ecje me shpejtësi tej normave të lejuara, 12 raste për përdorim të pijeve alkoolike, si dhe 12 raste për shkelje të tjera. Strukturat e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave do të vazhdojnë kontrollet edhe në ditët në vijim.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›