E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prag - Kupa e Shqiperise

Bardheblutë janë të qetë në këtë front, megjithë problemet që mund të kenë në brendësinë e tyre. Tirana luan sot në Kupën e Shqipërisë në fushën e Apolonisë në Fier në orën 14:00, me kualifikimin thuajse 100 për qind në xhep, ndaj edhe trajneri Hulian Rubio Sançez mund të provojë mjaft lojtarë të rinj, ashtu siç edhe i pëlqen. Skuadra e tij kryeson grupin A me 9 pikë pas 3 ndeshjesh, ndërsa kualifikimi do të diskutohet mes Laçit, Apolonisë e Shkumbinit.

Në grupin B, Flamurtari nuk e ka siguruar ende kalimin në turin tjetër, por mund të hedhë një hap të rëndësishëm përpara nëse fiton sot ndaj Pogradecit në Vlorë. Në këtë grup, më e rrezikuara është kryesuesja e Superligës, Teuta që ka vetëm 2 pikë dhe që do të luajë në fushën e Kamzës.

Barazpeshë thuajse e plotë në grupin C, ku 3 skuadra janë me nga 6 pikë, Kastrioti, Luftëtari e Skënderbeu. Korçarët e ringjallur së fundmi do të kenë rast ta prishin balancën me një fitore në fushën e tyre ndaj Luftëtarit, ndërsa Besa do të kërkojë të marrë pikët e para në ndeshjen pritëse ndaj Kastriotit.

Së fundi, në grupin D, Vllaznia do të synojë t’i shkëputet Bylisit pasi pret në Shkodër Dinamon. Shkodranët e ballshionët kanë nga 7 pikë, por këta të fundit shkojnë në fushën e Elbasanit që gjithashtu ka shpresa për të kaluar turin pasi ka mbledhur 3 pikë deri tani. Të gjitha ndeshjet luhen në orën 14:00.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›