E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shah/ Gorbacov i jep kupen kinezes Hou Yifan

Presidenti i fundit i ish-Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbaçov, i ka dorëzuar sonte në mbrëmje në një ceremoni të veçantë, fitueses së Kampionatit Botëror të Shahut për Femra, të zhvilluar në Tiranë, kinezes Hou Yifan.

Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, tha se Gorbaçov vjen nga një vend që i ka dhënë shahut mjeshtra me famë botërore. "Jemi në një ngjarje sportive, por që s’mund t’i shmangemi politikës”, tha Bumçi më tej.
Bumçi, duke iu drejtuar z. Gorbacov, tha se "ky është burri që vuri në lëvizje një spirale, e cila ndryshoi historinë e botës, ato të cilat sollën fundin e diktaturës të miliona qytetarëve të Evropës Lindore".

Në fjalën e tij, ish-shefi i Sovjetit u fokusua në sportin e shahut dhe eksperiencat e tij që nga fëmijëria e hershme në qytetin e lindjes Stavropol, por gjithashtu përmendi paralelisht edhe situatën aktuale gjeo-politike, duke theksuar se "duhet t’a forcojmë e përmirësojmë këtë botë, e një prej tyre është edhe ky sport, i cili zhvillon guximin, iniciativën dhe shëndetin mendor”.

Në fjalën e tij Gorbaçov tha se kurrë më parë s’ka qenë në Shqipëri, por, sipas tij, "e çuditshme, që unë po vij për herë të parë në Shqipëri në një ngjarje të shënuar për sportin botëror dhe e quaj veten të nderuar”.

Më herët, në mesditë, Mikahil Gorbaçov pati takime me kryeministrin Sali Berisha, i cili e vlerësoi figurën e tij si një “ndër personalitetet ndërkombëtare më popullore në Shqipëri, i cili hapi një epokë të re lirie jo vetëm për popujt e ish-Bashkimit Sovjetik, por për të gjithë Evropën e botën”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›