E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia do 50.000 euro nga cilido klub qe do kerkoje Xhevahir Sukajn

Cila do të jetë e ardhmja e golshënuesit më të mirë të kampionatit? Çdo të ndodhë me Xhevahir Sukajn, heroin e Vllaznisë deri të shtunën dhe të akuzuar nga opinioni, por edhe nga klubi pasi nuk pranoi të luante ndaj Skënderbeut në Superligë, një përballje që u humb 0-2 në Shkodër.

Pas pezullimit 4-mujor dhe gjobës me 50 për qind të vlerës së kontratës, për sulmuesin nuk mund të thuhet se e ardhmja është e shkëlqyer. Të paktën, jo e ardhmja e afërt. Kjo sepse ai ka kontratë me Vllazninë deri në qershor të vitit të ardhshëm. A mundet që Sukaj të largohet në janar?

Edhe ndodh, por në klub nuk do të pranojnë nëse nuk vjen dikush me 50 000 euro në dorë. Ky është niveli i stekës deri më tani.
Vështirë edhe që të ketë një falje, pasi në vendimin për pezullim të Sukajt, një rol jo të vogël ka luajtur vetë trajneri Rudi Vata dhe nuk besohet që ish-kapiteni i kombëtares shqiptare të tërhiqet nga e vetja.

Sukaj ka shënuar 8 gola në Superligë deri tani, po ashtu ka realizuar edhe në Ligën e Europës, duke qenë garantuesi më i mirë i golit tek kuqeblutë e duke marrë mbi vete barrën e lënë nga ish-kapiteni Vioresin Sinani.

Ndërkaq, Vllaznia duhet të mendojë se çfarë do të ndodhë me Armando Vajushin. Sulmuesi i ri, që ishte në prag të largimit në verë, i joshur nga Hajduku i Splitit, është i lirë të zgjedhë pikërisht në janar. Në fillim të vitit të ardhshëm, kontrata e tij përfundon dhe është në dorë të lojtarit që të verë në veprim klauzolën për rinovim edhe 6 muaj të tjerë. Por, me këto rezultate që ka Vllaznia deri tani, vështirë se lojtari i Shqipërisë U21 të pranojë qendrimin e mëtejshëm në Shkodër. Gjithsesi, kurrë nuk thuhet kurrë.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›