Prag-Lihtenshtejni, dëmtohet Lorik Cana

Lajm i keq për Kombëtaren shqiptare. Kapiteni i Marsejës, Lorik Cana. është dëmtuar gjatë ndeshjes së fituar kundër norvegjezëve të Bran Bergenit (1-0), e vlefshme për turin e tretë eliminator të Ligës së Kampioneve.
Mesfushori kosovar (kështu e thekson, faqja franceze football.fr) u zëvendësua qysh në pjesën e parë të ndeshjes, për shkak të një përdredhje të gishtit të madh të këmbës së majtë.
Cana është i pasigurt edhe për ndeshjen e Olimpikut të Marsejës kundër Okserit në kampionatin francez, dhe pritet të zëvendësohet në 11-shin e nisjes nga Sharl Kabore, i cili e zëvendësoi edhe në ndeshjen kundër Bran Bergenit, ku disa vite më parë ka luajtur për këtë ekip edhe sulmuesi aktual i Tiranës, Migen Memelli.
Lorik Cana është thirrur për ndeshjen miqësore kundër Lihtenshtejnit, takim që do të luhet në Tiranë, më 20 gusht në "Qemal Stafa" (20:45), dhe dëmtimi mund të përbëjë shqetësim për trajnerin holandez të Shqipërisë, Ari Han.