E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trajneri i Kotbusit: “Skela të luajë vetëm 45 minuta”

Rekord, si kurrë më parë. Gjashtë lojtarë të Energi Kotbusit, skuadrës gjermane ku militon Ervin Skela, janë thirrur për të qenë pjesë e skuadrave të tyre kombëtare për miqësoret e 20 gushtit.
Por, trajnerin Shtefën Heidrich, ky fakt nuk i gëzon aspak, madje është shfaqur shumë i mërzitur. "Kjo është një katastrofë!", - u shpreh për "Bild", trajneri, i cili vetë ka luajtur një ndeshje ndërkombëtare për ish-Gjermaninë Lindore.
Lojtarët nga ana e tyre janë të kënaqur: Ervin Skela do të luajë për Shqipërinë, Dimitar Rangelov, Stanislav Angelov (të dy me Bullgarinë), Ivan Radeljic (Bosnjë-Herzegovinën), Igor Mitreski (Maqedoninë) dhe Savo Pavicevic (Malin e Zi).
Në fakt, shqetësimi i trajnerit Heidrish duket i drejtë. Vetëm dy ditë pas ndeshjeve ndërkombëtare, Energi do të luajë kundër Hanoverit të Altin Lalës. Por, Heidrich "shpik" edhe një zgjidhje të panjohur më parë: "Thirrja e tyre natyrisht nuk na bën të lumtur. Ne do të përpiqemi që të lidhemi me federatat, që lojtarët tanë të luajnë vetëm një pjesë loje. Përndryshe ne do të organizonim kthimin e tyre me avion".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›