Analiza e Karlo Ançelotit: Milani do të vuajë pa Kakanë
Karlo Ançeloti po shijon startin e jashtëzakonshëm të aventurës në Angli dhe ka folur me superlativa për ecurinë e Çelsit në këtë pjesë të parë të sezonit. Sipas tij, blutë mund të fitojnë gjithçka. "Lojtarët kanë qenë shumë të motivuar që prej ndeshjes së parë", deklaroi Ançeloti. "Kam biseduar shpesh me Roman Abramoviç (pronarin e klubit) dhe ai më ka thënë se është i kënaqur për rezultatet tona dhe se loja e skuadrës e argëton. Nuk ka asnjë preferencë: Çelsi im kërkon të fitojë gjithçka gjatë këtij sezoni, madje edhe FA Cup". Tekniku italian ka analizuar edhe situatën e vështirë tek ish-skuadra e tij, Milani. Ançeloti mendon se e ka të qartë përse kuqezinjtë kanë probleme: "Nuk prisja t‘i shihja kaq poshtë në klasifikim, tha ai. Mendoj se ata e kanë kualitetin që të ringjiten. Por, pa Kakanë…". Transferimi i brazilianit te Reali i Madridit dhe këmbëngulja e drejtuesve të Milanit për të mos shpenzuar në merkato, kanë bërë që të besuarit e Ançelotit të kenë grumbulluar vetëm 9 pikë në shtatë sfida të Serisë A. Së fundmi ata humbën edhe në Champions me Zyrihun.