Florentino Perez, i pakënaqur me trajnerin Manuel Pelegrini
Presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez, sikurse bën të e ditur media spanjolle, ka shfaqur dyshimet e para ndaj teknikut kilian, Manuel Pelegrini, të përforcuara këto pas humbjes 1:2 me Seviljen në fundjavën e kaluar. Pas kësaj humbjeje, skuadra madrilene i tha "stop" bashkëkryesimit të ligës së parë spanjolle me Barcelonën. E përditshmja sportive spanjolle, "Sport", thekson se pavarësisht që skuadra madrilène ka fituar shtatë nga tetë ndeshjet zyrtare të këtij sezoni, me humbjen ndaj Seviljes, në testin e parë të vërtetë për vlerat e Realit të Madridit, ka rritur dyshimet e presidentit Florentino Perez, lidhur me profesionalizimin e teknikut kilian, Manuel Pelegrini. Florentino Perez ka nënvizuar se Pelegrini ka kërkuar që të përcjellë në skuadër idetë e tij, që janë të ndryshme me ato që ai ka sugjeruar lidhur me ndërtimin e formacionit. Rotacioni i Manuel Pelegrinit në ndërtimin e skuadrës, duke ndryshuar formacionin për çdo ndeshje, është një kundërvënie ndaj filozofisë së Florentino Perezit, i cili kërkon që Real i Madridit të luajë në çdo ndeshje me më të mirët e tij. Evidentohet kështu thyerja e parë në raportet Florentino Perez-Manuel Pelegrini. Por nuk është problemi i parë shqetësues i lindur te Real Madrid. Në ndeshjen me Seviljen, është ravijëzuar një polemikë midis dy senatorëve të skuadrës, Kasijas dhe Guti. Sekuencat televizive kanë treguar një debat midis portierit dhe Guti, kur Sevilja kaloi në avantazh 2:1 dhe Real Madrid pësoi humbjen e parë në këtë sezon. "Çfarë jeni duke bërë, më keni lënë vetëm", ishte ankesa e Kasijas drejtuar Gutit dhe ky i fundit, pasi është mbrojtur në fillim se pranë tij ishin katër futbollistë të Seviljes, në fund i ka thënë portierit: "Mbyll gojën". Skuadra ëndërr, e ndërtuar me investimin astronomik prej 250 milionë eurosh, ka shfaqur disa thyerje jo të vogla. Ankesa ka edhe Karim Benzema, i cili ka habitur Realin e Madridit, duke deklaruar se ai nuk dëshiron të luajë përkrah Raulit dhe është i inatosur për zëvendësimet e vazhdueshme gjatë ndeshjeve. Lajmin e jep "Sport". Sulmuesi francez shpërtheu ndaj trajnerit Pelegrini, në ndeshjen ndaj Seviljes, ku u zëvendësua, pasi nuk e priste ndërrimin. Theksohet se deklarata e Benzemasë ka tronditur "Santiago Bernabeun" dhe kjo mund të ketë pasoja shumë serioze në skuadër. Blerja 35 milionë eurosh beson se aktivizimi i tij përkrah Raulit po e pengon atë, pasi ai mendon se kapiteni i Realit nuk është mjaftueshmërish i lëvizshëm, ndaj nuk kombinojnë mirë si me njëri-tjetrin. Pelegrini, pasi dëgjoi ankesën e sulmuesit, zgjodhi të heshtë duke lënë të kuptohet se është e drejtë e francezit të kërkojë të luajë në të gjitha ndeshjet, pasi është blerë shtrenjtë nga Lioni. Në verë trajneri kilian donte të merrte Alvaro Negredon dhe 35 milionët e fituara nga shitja e Shnajderit dhe Robenit u përdorën për Benzemanë. Presidenti Florentino Perez kërkoi një emër të madh për sulmin dhe zgjodhi Benzemanë. Por Pelegrini insistoi se Benzema nuk ishte i pjekur mjaftueshëm për të luajtur te Reali.