Under-19 përgatitje me Qipron përpara Europianit
Përfaqësuesja Under-19 e drejtuar nga trajneri Ramadan Shehu do të përgatitet për Kampionatin Europian me bashkëmoshatarët qipriotë. Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare në Federatën Shqiptare të Futbollit, që theksuan se kuqezinjtë do të zhvillojnë disa miqësore të njëpasnjëshme me Qipron. Stërvitja nëpërmjet ndeshjeve miqësore, e cila është shfrytëzuar shpesh me Kombëtaret e moshave të shteteve fqinje, do të fillojë në vendin tonë, për të vazhduar në ishullin e Afërditës. Në datat 20 dhe 21 tetor takimet do të zhvillohen në Shqipëri, ndërsa sfidat e "kthimit" do të luhen ndërmjet datave 5 dhe 7 nëntor në Qipro. Në këto ndeshje, tekniku Shehu synon të vëzhgojë gjendjen e futbollistëve, si edhe të vendosë nëse ekipit i nevojiten përforcime për fazën eliminatore që do të zhvillohet në San Marino nga data 13 deri më 18 nëntor. Shqipëria U-19 ndodhet në Grupin 1, së bashku me San Marinon, Italinë dhe Irlandën.
e. k.
e. k.