"Ronaldinjo, nga Milani te Gremio në vitin 2010"
Ronaldinjo po mendon seriozisht të largohet nga "qyteti i trishtuar" i Milanos dhe të kthehet në Brazil. Mesfushori, që në vitet 2004 dhe 2005 është shpallur "Lojtari më i Mirë në Botë", shpreson që me këtë transferim të rigjejë entuziazmin për të luajtur futboll. Lajmi është dhënë nga sulmuesi argjentinas i Gremios, Maksi Lopez, ish-shok skuadre me Ronaldinjon te Barcelona. Ai ka theksuar se udhëtimi Milano-Porto Alegre do të realizohet që prej sezonit të ardhshëm. "Në një moment të caktuar, Ronaldinjo do të largohet nga Milani për t‘u kthyer te Gremio. Ky qytet dhe kjo skuadër janë shumë të rëndësishme për të", deklaroi Lopez. Për Ronaldinjon, ky do të ishte një rikthim në qytetin ku ka lindur dhe ku filloi karriera e tij futbollistike. Rikthimi në Brazil shihet si një metodë e mirë për "rilindjen" e lojtarëve amerikano-jugorë, që në Europë cilësohen si të pashpresë. Rasti më i fundit i kësaj natyre është ai i ish-sulmuesit të Interit, Adriano, i cili ka kaluar depresionin dhe problemet me alkoolin, e pretendon të kthehet edhe në Kombëtare.