Dëmtohet Riberi, komplikohet rruga e Francës drejt Botërorit 2010
Mesfushori Frank Riberi është detyruar të qëndrojë jashtë ndeshjeve të ardhshme që Franca do të luajë në eliminatoret e Botërorit 2010 kundër Ishujve Faroe dhe Austrisë. Lojtari i Bajernit të Mynihut ka një dëmtim në gju dhe në vendin e tij, stafi teknik i "gjelave" grumbulloi sulmuesin e Olimpikut të Lionit, Bafetimbi Gomis. "Football365" bëri të ditur se 26-vjeçari u prezantua i dëmtuar të hënën në kampin stërvitor të skuadrës, në "Kleirfontan". Pas vizitës nga stafi mjekësor dhe konsultës me stafin teknik, u vendos që dëmtimi ishte aq serioz, sa Riberi nuk mund të luante. Një zhgënjim për trajnerin Rajmond Domenek, i cili duhet të bëjë llogaritë pa lojtarin që me teknikën dhe shkëputjet e tij nga e majta ka qenë një prej protagonistëve absolutë në ndeshjet e Kupës së Botës. Mungesa e Riberisë i shtohet asaj të Johan Gurguf: tashmë Franca ka humbur dy lojtarët më të rrezikshëm në manovrat sulmuese. Gjashtë pikët janë të detyruara, në mënyrë që ish-kampionët e botës të shpresojnë të kualifikohen nëpërmjet ndeshjeve "play-off". Në fakt, vendi i parë në Grupin 7 duket i paarritshëm. Francezët janë 4 pikë larg Serbisë kryesuese: në dy sfidat kundër Rumanisë dhe Lituanisë, skuadra e drejtuar nga Radomir Antiç siguron pjesëmarrjen në Afrikën e Jugut vetëm me një fitore.
Vendi i lënë bosh nga Riberi është plotësuar nga Gomis, një lojtar me karakteristika komplet të ndryshme. Ai është një sulmues i fuqishëm, ndërsa në këtë fillim sezoni ka shënuar shtatë gola me Lionin. 24-vjeçari nuk është një fytyrë e re në ambientet e përfaqësueses franceze, sepse në të kaluarën ka qenë pjesë e kontingjentit në Euro 2008, pas paraqitjeve pozitive në miqësoret përpara atij turneu. Gjithsesi, Gomis nuk është paraqitur në nivelet e pretenduara, ndërsa performanca e tij në sfidat me Austrinë dhe Zvicrën është cilësuar një dështim. Kjo ka bërë që ish-sulmuesi i St. Etienit të ketë luajtur vetëm katër ndeshje me Kombëtaren, duke shënuar dy gola përballë Ekuadorit, në debutimin me skuadrën.