E Diel, 1 Nëntor 2026

Bogdani, Haxhi e Shoshi sot bashkohen me grupin. Sulmuesi: Të ruajmë vazhdimësinë

Kombëtarja shqiptare zhvilloi stërvitjen e parë në tokën gjermane. Dje pasdite, për afro dy orë, skuadra punoi nën vëzhgimin e trajnerit Josip Kuzhe, kryesisht me ushtrime çlodhëse. Në seancën e parë stërvitore në Frankfurt mungonin Erjon Bogdani dhe Altin Haxhi, klubet e të cilëve kishin kërkuar leje për t‘i mbajtur 24 orë më shumë, por edhe mbrojtësi Maringlen Shoshi. Lojtari i Apolonisë nuk arriti të pajisej në kohë me vizë, ndërsa sot pritet që të përfundojnë të gjitha procedurat. Të tre lojtarët do t‘i bashkohen pjesës tjetër të grupit në stërvitjen e pasdites. "Të tre këta futbollistë do të vijnë nesër (sot) dhe të mërkurën e humbasin seancën stërvitore të parashikuar për t‘u zhvilluar paradite. Ata do të jenë në dispozicion të trajnerit gjatë pasdites. Të enjten (nesër) skuadra do të zhvillojë një stërvitje gjatë paradites dhe siç jeni informuar, pasdite do të luajmë një miqësore", pohoi nga Gjermania menaxheri i përfaqësueses kuqezi, Denis Bastari. Në fakt, sfida me amatorët e 1. FC 08 Haslosh (ku pjesët e lojës do të jenë nga 25 minuta), ashtu si edhe sfida e së shtunës me Greuther Furthin janë kërkuar me forcë nga trajneri Kuzhe. Kroati ka njoftuar ndihmësit e tij se preferon më shumë të shohë skuadrën në aksion gjatë miqësoreve, sesa në stërvitje të thjeshta me topin. Kjo për shkak se në ndeshje, ai ka më shumë mundësi të shfrytëzojë skema taktike, të vëzhgojë sjelljen e lojtarëve me module të ndryshme dhe normalisht të përzgjedhë "kurthin", me të cilin shpreson të marrë rezultat pozitiv edhe më 14 tetor kundër Suedisë.

Ndërkohë, Erjon Bogdani e ka cilësuar si mjaft të vështirë sfidën përballë Ibrahimoviç & Co. Gjithsesi, sulmuesi i ka bërë thirrje skuadrës që të luajë si në ndeshjet e fundit me Portugalinë dhe Danimarkën, sepse në këtë mënyrë rezultati pozitiv nuk do të mungojë. "Luajmë në fushën e Suedisë, një përballje shumë e vështirë. Ne jemi të rrezikshëm sepse nuk kemi se çfarë të humbasim, por mbi të gjitha pasi vijmë pas një serie pozitive, në rezultate dhe në paraqitje. Shpresoj që të mos dalim të mposhtur nga fusha në këtë ndeshje të fundit, e të ruajmë vazhdimësinë", tha autori i tri golave për Shqipërinë në këto eliminatore.

e. kodheli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›