E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, emigrantët një rrugë e dy punë, edhe pushime edhe martesë

/>Pushimet e fund vitit pranë familjeve, janë shfrytëzuar nga emigrantët vlonjatë edhe për të bërë lidhjet martesore të shumta. Kjo është vënë re jo vetëm tek makinat e dasmave që kanë ushtuar në qytet gjatë këtyre ditëve, por edhe sipas burimeve zyrtare në zyrat e gjendjes civile të qytetit të Vlorës, ku mësohet se vetëm tre ditët e fundit janë paraqitur pranë këtyre zyrave plot 10 çifte për të celebruar aktin e martesës. Këto martesa nuk kanë qenë vetëm midis çifteve vetëm me kombësi shqiptare, por ka pasur edhe raste kur djemtë vlonjatë janë martuar me vajza kryesisht italiane ashtu si në dy raste kanë qenë shtetas italianë që janë martuar me vajza vlonjate, kanë bërë të ditur burimet zyrtare pranë zyrave të gjendjes civile. Këto njohje janë më së shumti të realizuara në vendin fqinj, Itali, ku tashmë aty ka shumë familje vlonjate që jetojnë dhe punojnë prej vitesh. Njohja aty midis të rinjve gjatë gjithë vitit bëhet realitet në lidhje zyrtare martesore vetëm në periudha të tilla kur krijohet mundësia e ardhjes pranë familjes të njërit prej të martuarve. Kjo dukuri ka qenë shumë pozitive edhe gjatë muajit gusht të vitit të kaluar, kur vetëm brenda atij muaji pranë këtyre zyrave janë realizuar 52 akte martesore. Ndonëse ftohtë dhe dimër, emigrantët kanë shfrytëzuar ditët e pushimit pranë familjeve të tyre për të bërë jo vetëm dasmën, por edhe lidhjen zyrtare të martesës edhe sepse tashmë u duhen dokumentet atje ku jetojnë dhe punojnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›