Fier, prangoset hajduti i baterive të puseve të naftës
/>Kishte grabitur për një periudhë kohe bateritë e gjeneratorëve të një kompanie të huaj nafte që operon në nxjerrjen e naftës, por vetëm dje është vendosur në prangat e bluve fierakë. Burime nga Komisariati i Policisë së Fierit bëjnë të ditur se pas një periudhe disamujore kërkimi është arritur të identifikohet dhe arrestohet 17- vjeçari Fation Koni, i cili akuzohet për grabitjen e baterive të gjeneratorëve.
17- vjeçari Koni, banor i fshatit Marinëz, ku edhe operon kompania e naftës, mësohet se gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar ka arritur të heqë e më pas të marrë gjashtë copë bateri që shërbenin për furnizimin e gjeneratorëve të firmës kanadeze, e cila operon në nxjerrjen e naftës. Bateritë e vjedhura përdoreshin nga specialistët e huaj për furnizimin e pompave të nxjerrjes së naftës në rast kur mungonte energjia elektrike. Është dashur një punë disa ditore e punonjësve të policisë për zbardhur dhe dokumentuar gjithë ngjarjen në të cilën përfshihej edhe 17- vjeçari Koni. Pas marrjes së gjithë informacioneve të nevojshme dhe grumbullimit të informacionit, në shtëpinë e 17- vjeçarit është ushtuar edhe një kontroll i imtësishëm, gjatë të cilit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale vetëm katër nga gjashtë bateritë e vjedhura. Vetë i riu, gjatë marrjes në pyetje nga ana e oficerëve të policisë gjyqësore ka pohuar se brenda kësaj kohe ka arritur të shesë dy bateri, e ndërsa katër të tjerat gjendeshin në fshehura në kasollen e bagëtive.