E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, arrihet kompromisi për paketën e stimujve ekonomikë



Demokratët në Senatin e Shteteve të Bashkuara dhe një numër republikanësh mundën të arrinin një kompromis lidhur me paketën masive të stimulimit të ekonomisë amerikane, në kushtet kur numri i të papunëve vazhdon të rritet. Senatorët shtuan se kanë numrin e mjaftueshëm të votave për miratimin e paketës së stimujve në Senat. Udhëheqësi i shumicës në Senat, Harri Rid, tha se shpreson që paketa të miratohet brenda ditëve të ardhshme. Gjatë negociatave për paketën, senatorët pakësuan koston e saj nga 937, në 780 miliardë dollarë. Ligjvënësit thanë se në sajë të ndryshimeve, u arrit mbështetja e paketës nga një numër i vogël senatorësh republikanë të moderuar, që nevojitej për miratimin e paketës. Shumë republikanë u ankuan se paketa në formën fillestare kishte shumë shpenzime dhe shumë pak shkurtime taksash. Udhëheqësit republikanë e dënuan kompromisin.

Cërvenkovski: “Rrezik se shqiptarët mund të kërkojnë ndarjen”

Në të ardhmen ekziston rreziku që Maqedonia të ndahet, dhe ky është një proces që kushtëzohet nga bllokimi i integrimit në strukturat euroatlantike. Gjatë një interviste, Presidenti në ikje i Maqedonisë, Branko Cërvenkovski, ka deklaruar se shqiptarët, për të mos rrezikuar ëndrrën e tyre europiane, mund të kërkojnë ndarjen nga shteti maqedonas. “Në një moment partitë shqiptare mund të deklarohen me qëndrim të ndryshëm nga klasa politike maqedonase për çështjen antike të këtij vendi dhe mund të kërkojnë ndarjen”, - u shpreh Cërvenkovski. Kreu i shtetit theksoi se nuk pajtohet me këtë ide, por paralajmëroi se rreziqet ekzistojnë, ndaj duhen marrë masa parandaluese. Ndërkohë, situata parazgjedhore në Maqedoni ka qenë e tensionuar. Të gjitha partitë shqiptare kanë akuzuar njëra-tjetrën për përdorim dhune apo skenarë për prishjen e zgjedhjeve. Zëdhënësi i Partisë Demokratike Shqiptare ka akuzuar funksionarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Rexhep Hasani, se ka plagosur një qytetar për motive banale politike.

9 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›