E Hënë, 2 Nëntor 2026

Prag tragjedie nga pijet,helmohen 6 gjimnazistë

03/02/2005  ELBASAN – Disa gjimnazistë janë helmuar dje dhe në gjendje të toksikuar kanë mbërritur në spitalin e Elbasanit, ndërsa shkaku mbetet ende enigmë. Policia sekuestroi pijet e një lokali, të cilin ata kishin frkuentuar, ndërsa shoqëron pronarin e tij

Helmimi

Kanë qenë 12 gjimnazistë të shkollës së mesme të përgjithshme “Kostandin Shpataraku” të fshatit Gjinar në rrethin e Elbasanit, të cilët, pasi kishin zhvilluar dje vetëm tri orët e para të mësimit, kishin menduar të bashkoheshin në një lokal për të dëfryer e kërcyer. Papritur, 6 prej tyre, pasi kishin konsumuar lëngje frutash e të tjera pije, janë ndjerë keq, duke paraqitur simptomat e një helmimi të vërtetë. Menjëherë me dy automjete janë nisur, pavarësisht borës së rënë, në drejtim të spitalit në Elbasan.

Pasi mbërritën në spital, askush ekzaktësisht nuk dinte të shpjegonte mënyrën e helmimit të tyre, as mjekët që morën përsipër mjekimin e të rinjve. Sipas mjekëve, ata paraqisnin simptoma intoksikacioni nga lëngjet e konsumuara apo edhe nga gazi i çliruar nga ngrohja brenda lokalit.

Sipas burimeve të spitalit, mësohet se Miranda Shqau, Elsa Shqau, Lumturi Çipi, Arinda Uruçi, Irma Bërdufi dhe Sokol Devishi, që të gjithë banues në Gjinar, konsiderohen në gjendje më shqetësuese nga mjekët, ndërsa dy prej gjimnazistëve që i shoqëronin, kanë paraqitur shqetësime të lehta.

Mjekët

Mjeku i parë i kujdesur për 6 gjimnazistët, Selman Çili, ka parë që në fillim simptomat e tyre, duke deklaruar se bëhet fjalë për një helmim, por ende nuk mund të konstatohet lloji dhe graviteti. “Duke paraqitur simptomat e një lloji të tillë intoksikacioni, ne si personel, u bëmë nga një lavazh të përgjithshëm, duke u provokuar edhe reagimin e organizmit ndaj çdo substance të konsumuar. Fillimisht është shfaqur si një helmim i zakonshëm nga ushqimet, por këputjet e trupit dhe era e keqe e deklaruar nga ata gjatë kohës, të bën të mendosh edhe për një çlirim dioksidi karboni ose ndonjë lëndë tjetër helmuese, që mund t’i ketë shkaktuar këto simptoma”, shprehet Çili.

Mjekut Selman Çili i janë bashkuar edhe 4 mjekë të tjerë, ndërsa i pranishëm ka qenë edhe drejtori i Qendrës spitalore, Arben Kamami. Mjekët shprehen optimistë për gjendjen e pacientëve që kanë shfaqur shenja intoksikacioni dhe, sipas tyre, të gjithë gjimnazistët kanë kaluar gjendjen kritike dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë që nxënësit u nënshtroheshin serumeve dhe injeksioneve, dy gjimnazistë të tjerë që i shoqëronin, tregojnë se vajzat kishin marrë lëngje frutash të ndryshme, ndërsa djemtë kishin preferuar biter apo edhe pije alkoolike. Pas më shumë se 20 minutash, gjatë kërcimit, një pjesë e mirë janë ndjerë keq, aq sa ka patur edhe humbje ndjenjash.

Hetimet

Efektiva të policisë kriminale janë nisur në qendër të komunës Gjinar, ku edhe kanë marrë të gjitha të dhënat, duke bllokuar produktet e tregtura nga lokali, me pronar shtetasin Drini Panxhi. Mësohet se pronari është marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen dhe, gjithashtu, i është vënë kyçi lokalit deri në zbardhjen e saj.

Ndërkohë, Drejtoria e Higjienës ka mbërritur menjëherë pranë pacientëve për të verifikuar edhe shkakun e helmimit dhe llojin që i solli këto simptoma.

Drejtorja e Drejtorisë së Higjienës, Desantila Tahiraj, konfirmon se “një grup specialistësh është nisur në Gjinar për të marrë kampione nga ushqimi dhe një tjetër grup ka marrë kampione gjaku nga pacientët. Nuk dihet ende lloji i helmimit dhe rezultatet pritet të dalin gjatë ditës së enjte”.

Gjimnazistët e helmuar

Miranda Spiro Shqau 17 vjeçe

Elsa Konstandin Shqau 18 vjeçe

Irma Stavri Bërdufi 16 vjeçe

Lumturi Josif Çipi 18 vjeçe

Aida Josif Uruçi 18 vjeçe

Sokol Pal Dervishi 18 vjeç

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›