Prag tragjedie, reshjet fundosin gjashtë shtëpi
Gjashtë shtëpi janë fundosur gjatë natës përpara syve të banorëve për shkak të tërmetit dhe reshjeve të shumta të shiut
KAVAJË- Reshjet e shumta të shiut për pak sa nuk kanë shkaktuar një tragjedi dje në Kavajë teksa është çarë toka dhe gjashtë shtëpi janë fundosur. Skena e frikshme ka ndodhur në sytë e vetë banorëve rreth orës 3:00 të mëngjesit të së shtunës, ndërkohë që kërcitjet dhe krisja e vazhdueshme e mureve kishte filluar që në orën 21:00 të mbrëmjes.
Lëkundjet e tërmetit të tre ditëve më parë kanë paralajmëruar këtë tragjedi edhe pse të pamenduar në përmasa të tilla. Ngjarja ka ndodhur, në fshatin Bago të Komunës Synej.
Banorët kanë dalë nga shtëpitë e tyre duke shpëtuar ç'të mundnin nga sendet materiale, ndërkohë që kanë strehuar fëmijët tek të afërmit, larg vendit të rrëshqitshëm. Kanë qenë kryefamiljarët ata që kanë qëndruar deri në fund për të parë se çfarë përfundimi do të merrnin shtëpitë e ndërtuara prej vitesh me shumë mund e sakrificë. Ata tregojnë frikën dhe dhimbjen që i ka pushtuar në këtë ditë, ndërsa ju duket ende e pabesueshme se nuk i kanë më ndërtesat e ngritura me duart e tyre.
"Që ditën kur ra tërmet, toka pësoi një çarje, por nuk e menduam që nga ajo çarje do të shkaktohej një përmbysje e tillë. Nga mëngjesi filluan të dëgjohen zhurma të çuditshme, ato kishin ardhur nga kërcitjet e mureve. U ngritëm të alarmuar dhe filluam të nxjerrim jashtë fëmijët.
Më pas u kujtuam që mund të na mjaftonte koha të nxjerrim edhe ndonjë rrobe nga shtëpia. Rreziku që na kanosej dhe shiu i rrëmbyeshëm nuk na dhanë mundësinë të mendonim për shumë gjëra në ato momente, por vetëm të shpëtonim kokën. Ishte e tmerrshme të shohësh se si dheu përpin një ndërtesë trekatëshe, dukej si një përbindësh që gëlltit çdo gjë që i del përpara. Nuk kisha parë ndonjëherë gjë të tillë me sy",- kështu e përshkruan një nga banorët e dëmtuar materialisht, situatën e mëngjesit të së shtunës.
Tërmeti i tre ditëve më parë, krijoi një çarje të kores së tokës, e cila u thellua me vazhdimin e reshjeve të shiut gjatë natës së premte deri në mëngjesin e së shtunës. Spostimi i masivit të dheut është ndikuar edhe nga një përrua (kanal uji) që kalonte në këtë zonë.
Tejngopja e përroit nga ujërat e shiut, kanë gërryer bazamentin duke marrë më vete materiale dherash.
Kështu është krijuar një terren i përshtatshëm për lëvizjen e masivit të dheut, mbi të cilin ishin ndërtuar shtëpitë e fundosura tashmë, duke krijuar katastrofën materiale për 6 familje.
Pak orë më pas, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur zyrtarët lokalë, të cilët nuk kanë guxuar që të premtojnë ndihmë për banorët e dëmtuar.
Kryetari i Komunës, Përparim Caca tha dje "Pasi evidentuam zonën dhe dëmet materiale, dhe fatmirësisht nuk kishte viktima, mblodhëm shtabin e emergjencës për të parë mundësitë që ka komuna bashkë me qarkun për t'iu ardhur në ndihmë këtyre banorëve të prekur nga fatkeqësia.
Do të bëjmë evakuimin e të gjithë zonës që konsiderohet e rrezikshme, në mënyrë që të shmangim ndonjë tragjedi njerëzore.
Kjo është më e pakta që do të bëhet për këta banorë, pasi aktualisht nuk mund të flasim apo premtojmë që do t'iu ndërtojmë shtëpi apo do t'i strehojmë në ndonjë nga banesat sociale. Megjithatë pushteti vendor do të ketë një masë kontributi që do të vihet në dispozicion të të dëmtuarve".