Kartat, aplikuan 300 mijë shqiptarë deri ditën e djeshme
21/03/2009 Ministria e Brendshme në një deklaratë për shtyp informoi dje opinionin publik në lidhje me procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti, se deri në datën 19 mars 2009, rezulton se kanë aplikuar 301 776 persona dhe janë prodhuar 200 094 letërnjoftime elektronike. “Intensiteti i aplikimit është në rritje nga dita në ditë. Aktualisht bëhen 13 mijë aplikime në ditë. Po ashtu intensiteti i prodhimit të kartave po shkon drejt kapacitetit maksimal. Aktualisht po prodhohen 16 mijë letërnjoftime elektronike në ditë. Ministria e Brendshme u bën thirrje qytetarëve të Tiranës që kanë aplikuar deri në datën 8 mars të paraqiten pranë zyrave të minibashkive për të tërhequr letërnjoftimet e tyre. Ministria e Brendshme u bën thirrje edhe njëherë të gjithë qytetarëve që nuk zotërojnë pasaportë për udhëtim jashtë shtetit të drejtohen sa më parë tek qendrat e aplikimit për letërnjoftime elektronike”,-thuhet në deklaratën për shtyp.