E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpëtojnë 4 të rinjtë e humbur në dëborë

Korçë, policia greke gjen klandestinët shqiptarë teksa ndodheshin në një stan bagëtish në gjendje të mirë shëndetësore


KORÇË- Përfundon pa pasoja drama e katër të rinjve shqiptarë që mbetën të izoluar në dëborë në kufirin e shtetit fqinj. Katër klandestinët, mes të cilëve dhe 16 -vjeçari Ajet Muça, kanë mbetur në dëborë pas ikjes së tyre në këmbë nga fshati Tren në rrethin e Devollit tre ditë më parë.

Grupi i të rinjve ka ecur në këmbë përgjatë vijës liqenore të Prespës së Vogël në Shqipëri për të hyrë në territorin grek dhe për të mbetur përmes një tufani në malin grek të Pisoderit disa kilometra larg Follorinës.

Ka qenë pikërisht 16- vjeçari Muça i cili nuk ka mundur të ecë dot në këmbë, i cili ka dhënë alarmin SOS tek një i afërmi i tij në Greqi duke i kërkuar ndihmë. Kaq është mjaftuar që alarmi të mbërrijë në policinë kufitare të Korçës, e cila ka marrë kontakte të menjëhershme me homologët grekë në pikën kufitare të Kapshticës.

Drejtori i Policisë së Kufirit, Eduard Caka, ka njoftuar zyrtarisht me anë të një faksi shefin e policisë së Follorinës, ndërsa në mënyrë urgjente policia e qytetit vetëm 45 kilometra larg pikës kufitare të Kapshticës ka nisur dhe operacionin e shpëtimit.

Policia greke ka ndërhyrë gjatë mbrëmjes së kaluar duke arritur fillimisht të komunikojë me klandestinët që kishim mbetur në dëborë. Trashësia e dëborës në malin e Pisoderit një nga majat më të lartë të Greqisë veriore ka kaluar një metër, ndërkohë që për fat të mirë klandestinët shqiptarë kanë mundur të strehohen në një stan bagëtish duke arritur të ndezin edhe një zjarr. Rreth orës 4.30 të mëngjesit policia greke ka mundur të arrijë në vendndodhjen e klandestinëve duke i transportuar ata menjëherë drejt spitalit të Follorinës.

Duke iu referuar informacionit zyrtar që policia greke ka dhënë për homologët e saj shqiptarë në Kapshticë është mësuar se të katër të rinjtë që mbetën në dëborë duke rrezikuar jetën e tyre janë shëndoshë e mirë, ndërsa janë trajtuar dhe në spitalin e Follorinës. Ata pritet të mbërrijnë pas disa ditësh në pikën kufitare të Kapshticës.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›