Prandeli: Ndeshje e madhe. Spanja? Është favorite
Trajneri i Italisë është i kënaqur me lojën e skuadrës së tij ndaj Gjermanisë: Dhamë një shembnull të bukur, duke luajtur për fanellën tonë
Është në qiellin e shtatë Çezare Prandeli pas triumfit të shkëlqyer të Italisë kundër Gjermanisë, teksa nënvizon paraqitjen e skuadrës së tij. Italia shkon në finale në fund të një ndeshjeje me vuajtje.
Në 15-të minutat e fundit gabuam në shënimin e golit të tretë dy herë, lojtarët e mi nuk kishin më energji. Luajtëm një ndeshje të jashtëzakonshme, – thotë Çezare Prandeli pas ndeshjes.
Të dielën finalja me Spanjën: Ata janë favoritë, por ne do të luajmë lojën tonë. Dhamë një shembull të bukur duke luajtur për fanellën. Kur flitet për Italinë duhet të jemi gjithnjë të gjithë shumë të kujdesshëm.
Trajneri axurr e përshkruan kështu ndeshjen: I bëmë gjërat ashtu siç i menduam: nuk e zgjeronim lojën dhe luanim në qendër, duke kërkuar të shërbenin te Kasano. Dygolëshi i Balotelit? Karriera e Marios sapo ka nisur.
MONTOLIVO Pas një nisjeje jo dhe aq të mirë, Rikardo Montolivo e ka merituar fanellën e titullarit. Italia, tani është edhe ai, blerja e re kuqezi. Gjysmë gjerman, për mesfushorin, ndeshja e mbrëmshme ishte super speciale.
Ndeshje speciale që nga fillimi, jemi të kënaqur që luajtëm një pjesë të parë të shkëlqyer, – thotë mesfushori axurr. Jemi entuziastë, festimet e zhvilluara në Itali na kanë futur dridhërimat.
Nga këmbët e tij lindi goli i dytë i Balotelit: Vrapova pas topit dhe ia pasova dhe shkoi mirë. Italia duhet respektuar, sot (mbrëmë) është një mbrëmje e bukur sportive. Gjermania na respekton në nivel sportiv, kundër nesh humbasin shpesh….
BARZALJI Ishim të mëdhenj, luajtëm një ndeshje shumë të bukur kundër një skuadre të madhe. Është me të drejtë krenar dhe i kënaqur Andrea Barzalji në fund të ndeshjes ndaj Gjermanisë: Vuajtëm për vdekje në minutat e fundit, por ishte një fitore e merituar.
Mbrojtësi i Juves, lideri i prapavijës axurre, e ka mendjen që tani te finalja e Kievit me Spanjën: Pasi të pushojmë pak, duhet të mendojmë për Spanjën. Duam ta mbyllim sa më mirë këtë Europian.
BALCARETI Kënaqësi e madhe edhe për Federiko Balcaretin, i cili luajti në krahun e djathtë për shkak të dëmtimit të Abates dhe pezullimit të Maxhos: Është një ëndërr të jesh në finale, por finalet duhen fituar. 11-metërshi?
Nuk e kuptova çfarë vërshëlleu, sepse gjyqtari tha që prekja me dorë ishte e Barzaljit? Por në këtë pikë, ishte apo jo, nuk ka shumë rëndësi.
