E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çfarë romance! Poco, Rivera, Rosi, Lipi. Gjermania, legjendë e njëjtë

Përgatiti: Erion ABULE

Nga goli i parë i Çeveninit në vitin 1923, te triumfi i Dortmundit në Botërorin 2006, duke kaluar në Azteka dhe në Bernabeu. Një sfidë që ka brenda gjithnjë histori

E para është e vjetër, thuajse 90-të vjet. Milano, e hënë 1 janar 1923, fusha e Milanos në rrugën Lombardia 38 c (sot rruga Campania). Në orën 14:30 fiks hyjnë në radhë indiane kombëtaret e Italisë dhe Gjermanisë.

Gazetari Vitorio Poco në tribunë flet me një drejtues gjerman dhe një lojtar rezervë dhe u kërkon një parashikim. Drejtuesi fryn gjoksin: Jemi më të zotë, fitojmë 5-1. Lojtari rezervë: Fitojmë 4-0. Gjermania nuk mund të pësojë gol.

Vitorio Poco është në atë rast një i dërguar i thjeshtë (La Stampa) dhe kufizohet për të dhënë një parashikim. Por kupton nga foot-ball-i dhe komenton: Kujdes miq, futbolli italian është bërë i shpejtë, praktik dhe manovrues. Vështrime skeptike. Pastaj ndeshja.

GAZETAR Italia e drejtuar nga komisioni teknik me Umberto Meacën, Augusto Galetin dhe Augusto Rangonen, fiton 3-1. Gazetari Vitorio Poco shkruan për gazetën e tij: Loja e futbollit ka si objektiv shenjën e asaj pike që në anglisht përkufizohet gol, përkthimi letrar i të cilit në fjalorin italian është qëllim. Italia ia arriti tre herë qëllimit të saj.

Lojtarët e Gjermanisë kthehen në stacionin e trenit të shkurajuar dhe të çorientuar: Qëllimin e parë kundër Gjermanisë e shënon Luixhi Çevenini, milanez, i treti i dinastisë së pesë vëllezërve. Është Çeveni III, i ashtuquajturi Zizi, sepse fliste gjithnjë.

Me të gjithë dhe kundër të gjithëve. Leone Bokali, themelues në vitin 1939 i Almanakut të ilustruar të futbollit (Panini), tregon: Nuk ndalonte asnjëherë, gjithnjë në lëvizje. Teknikë e lartë, kontroll i lartë i topit, nuk jepte pika referimi. Dikush tha: Nëse De Veki është bir i Zotit, Zizì është Zot i futbollit, i kthyer në njeri. Hiperbola, teprime të atyre viteve.

Por me futbollistë si Çevenini III, i cili inatosej me shokët për gabimin më të vogël, ajo Itali dhe të tjerat pas saj, kanë arritur shumë qëllime. Para së gjithash me Gjermaninë, kur golat vlenin pikë. Edhe kur ndeshja nuk kishte shumë rëndësi.

DEBUTIMI I KAROZIOS Itali-Gjermani ka qenë gjithnjë shumë gjëra. Plot me histori dhe debutime mbresëlënëse. Axurrët fitojnë menjëherë dhe shumë. Në vitin 1933, një Itali-Gjermani direkte.

Në fillim radio kronika zyrtare e një ndeshjeje (të tjerat ishin eksperimentale). Është janari 1933, debutimi i Nikolo Karozios. Në Vitoriale të Bolonjës, Itali-Gjermani 3-1.

Njeriu që do të bëhet Zëri, është kapur ama nga frika. Në këmbë, i gjatë dhe i bëshëm, i futur brenda kapotës së tij të rëndë, fikson mikrofonin në heshtje. Janë dy minuta të sikletshme, bën ftohtë dhe i riu Nikolo djersit. Pastaj niset dhe nuk e ndalon më asnjë.

FAQE E ZEZË Ndryshojnë njerëzit, sistemet e lojës. Italia fiton dy Botërorë dhe një Olimpiadë. Vitorio Poco, trajneri i veçantë, është në qendër të gjithçkaje. Edhe në një faqe të zezë (në të gjitha kuptimet) me protagoniste Gjermaninë dhe Italinë.

Në Berlin, të dielën 26 nëntor 1939, revansh miqësor i një sfide të luajtur në mars në stadiumin Comunal Xhovani Berta të Firences dhe i fituar (3-2) nga axurrët me formacion tip.

Trajneri-gazetar paraqet një formacion tërësisht ndryshe. Motivi? Një eksperiment. Poco kërkon të provojë sistemin e Herbert Shapmanit dhe përdor shtatë lojtarë të Xhenoas, e vetmja skuadër italiane, e ndërtuar nga anglezi Uilliam Garbut, që përdor këtë tip loje.

Pa Fonin, Ravën, Andreolon, Biavatin, Meacën e Piolën, Italia humb me Gjermaninë 5-2. Është humbja e parë jashtë shtëpisë kundër gjermanëve, që festojnë me të drejtë. Analiza social-politike e ndeshjes sjell shumë interpretime të ndryshme.

Njëra mbi të gjitha, nazizmi i ka kërkuar fashizmit: Të paktën një herë, na lini të bëjmë një figurë të bukur. Gazetari Poco do të shkruajë: Një situatë kaq e keqe nuk mund të imagjinohej. Por nuk do të verifikohet më.

NDESHJA E SHEKULLIT Vërtet. Pesë gola më shumë nuk i kishte pësuar Italia. Dhe as katër apo tre. Ndal: tre kanë hyrë në portën axurre.Por nuk ishin shtylla, janë tri goditje frike, sepse atëherë, 17 qershor 1970, në gjysmëfinalen e Botërorit në Meksiko Siti, axurrët u japin katër shuplaka pancerave. Katër golat ndoshta më emocionues të të gjithë historisë Itali-Gjermani.

Fitorja 4-3. Mjafton me kaq. 4-3 me Sandro Macolën dhe Xhani Riverën, që bëjnë stafetën. Shnelinger crucco traditor. Një mbrëmje magjike italiane. Në Azteka vendosin një targë: El estadio Azteca rinde homenaje a las selecciones de: Italia (4) y Alemania (3) protagonistas en el Mundial de 1970, del Partido del Siglo.

Që ndrshe është: Në stadiumin Azteka fiton kombëtarja e Italisë ndaj asaj të Gjermanisë 4-3, protagoniste të Botërorit 1970, të Ndeshjes së Shekullit. Në Meksikë luhet në orën 16:00, është mesnatë në Itali.

Të gjithë në bar dhe pastaj në sheshe dhe jo vetëm me golin e Bonisenjës në sy, me reagimin e gjermanëve që nuk dorëzohen asnjëherë, barazojnë me Shnelingerin në minutat shtesë. Vjen koha shtesë, ankth, Burgnish, Riva dhe Rivera. Pastaj lotët dhe lumturia. Dhe legjenda…

LEGJENDA E SPANJË 82 Si ajo e Mundial 82. Ka nga ata që thonë se gjysmëfinalja e Aztekës është një kult, ndërsa finalja e Berlinit është një klasike. Ndoshta. Gjithsesi diçka fantastike, tërheqëse. Itali-Gjermani 3-1.

Penalltia jashtë e Kabrinit, goli i Rosit, buzëqeshja e Bearxotit, llulla e Pertinit (presidenti i Italisë), ulërima e Tardelit, Zof që ngre kupën. Ditë të paharrueshme. Larg, 30 vite më parë, por akoma para syve.

EUROPIAN Pastaj vjen barazimi, bëhet fjalë gjithnjë për takime zyrtare. Europiani, dy herë. Në vitin 1988 me Italinë e Viçinit, 1-1 që e ndihmon Italinë të arrijë në gjysmëfinale. Aty, për fat të keq, ndeshet me Bashkimin Sovjetik të kolonelit Lobanovski dhe të futbollit të tij të 2000-it. Katër vite më pas, në Angli, 0-0 me Zolën që gabon një 11-metërsh.

Saki i rikthen në shtëpi. Në fund, në Dortmund, në shtëpinë gjermane. Botërori 2006, kujtime shumë të freskëta, edhe pse kanë kaluar 6 vjet: triumfon Lipi në kohën shtesë. Kronika të largëta dhe jo vetëm, por aromë historie, si ajo e mbrëmshmja në Varshavë…

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›