E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranë dorëheqjes

Laporta është detyruar që të mbledhë një komision të jashtëzakonshëm të stafit drejtues nesër, ditë në të cilën mendohet se do të japë edhe dorëheqjen

Edhe pse doli “gjallë” nga mocioni i fundit i mosbesimit, presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, duket se është ende në rrezik për të lënë presidencën e skuadrës katalanase. Gjendja në stafin drejtues të skuadrës është rënduar shumë, saqë nesër ai me shumë mundësi do të japë dorëheqjen. Kështu mund të mbyllet një kapitull jo shumë i lumtur për skuadrën spanjolle, por mbase mund të hapet një epokë e re.

E përditshmja katalanase “Sport”, ka qenë ajo që e ka bërë të ditur këtë lajm. “I vënë nën presion edhe pas mocionit të mosbesimit, - shkruan gazeta spanjolle, - numri një i klubit katalanas është detyruar që të mbledhë një komision të jashtëzakonshëm të stafit drejtues nesër, ditë në të cilën mendohet se do të japë edhe dorëheqjen”. Qëllimi i “kolonelëve” të Barcelonës është që Laporta të largohet dhe drejtimin e skuadrës ta marrë zëvendëspresidenti Albert Vicens, i cili në krah do të ketë edhe Ferran Sorianon. Kështu që nuk do të ketë zgjedhje në dy vitet e ardhshme dhe projekti “Guardiola” nuk do të mund të vdesë ende pa lindur. Në merkaton e Barçës kjo dorëheqje do të ndryshonte shumë pak, dhe Ronaldinjo e Eto nuk do të mund të kthehen më në skuadër.

Misioni i mosbesimit ndaj Laportës u shua nga votimet që u kryen të dielën, dhe ky mocion u nis nga armiqtë numër një të presidentit katalanas, Giralt dhe Castellvi. Mbi 50 për qind e 118.528 aksionerë (edhe pse jo të gjithë kanë shkuar në kutitë e votimit), kanë qenë për largimin e Laportës, por kjo ka qenë e panevojshme, pasi për ta larguar atë duheshin mbi 66 për qind të votave. Laporta ka qenë i akuzuar për shpenzimin e kotë të parave, të cilat nuk kanë shërbyer në ngritjen e klubit në nivelet më të larta. Sipas asaj që thekson “El Mundo Deportivo”, skuadra katalanase ka mohuar gjithçka, por në Barcelonë të gjithë janë të sigurt, se Laporta i ka orët e numëruara dhe nesër do të japë dorëheqjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›