E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga 2 vëllezërve, prenë 120 rrënjë ullinj



Fier - Dy vëllezër kanë rënë në pranga pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin i kanë prerë bashkëfshatarit të tyre 120 rrënjë ullinj 15-vjeçarë. Burimet zyrtare të Policisë së Fierit pohuan se pasditen e së hënës janë arrestuar dy vëllezërit, Luftar dhe Ramadan Skënderaj, përkatësisht 66 dhe 60 vjeç, banorë të fshatit Cakran. Arrestimi i tyre u bë se në bashkëpunim me njëri-tjetrin i kanë prerë natën duke u gdhirë dita e hënë 120 rrënjë ullinj të moshës 15-vjeçare bashkëfshatarit të tyre, Kamber Saliaj. Po sipas këtyre burimeve, mësohet se dy vëllezërit Skënderaj disa ditë më parë kishin debatuar me Kamberin dhe për punë inati ata i kishin prerë 120 rrënjë ullinj atij duke u larguar. Kamber Saliaj ka kryer denoncimin në polici sapo pa ullinjtë e prerë dhe aty ka treguar se te cilët persona ai dyshonte. Policia ka shkuar më pas në Cakran, 18 km larg Fierit, dhe ka bërë fillimisht shoqërimin e tyre për në polici. Pasi janë marrë në pyetje ata kanë pranuar se janë autorët që kishin prerë ullinjtë e Saliajt.

Ekstradohet nga Italia i akuzuari për vjedhje me dhunë

Durrës – Interpoli shqiptar, në bashkëpunim me Policinë italiane, kanë mundësuar ekstradimin e Përparim Sinës, banues në Durrës. Sipas të dhënave të Policisë së Durrësit, ai mbërriti dje në Aeroportin e Rinasit. Sina ishte shpallur në kërkim pasi Prokuroria e Durrësit kishte nxjerrë urdhrin e ndalimit të tij për ekzekutimin e Vendimit penal nr. 177 të gjykatës, e cila e ka dënuar me 6 vjet burg për veprën penale të “vjedhjes me dhunë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 139 dhe 25 të Kodit Penal. Ngjarja ka ndodhur gati 9 vjet më parë në territorin e Portit Detar të Durrësit, ku Përparim Sina, në bashkëpunim me Mariglen Bakian, i cili është arrestuar ditën e ngjarjes, i kanë vjedhur me dhunë sasinë prej 40 000 lekësh të rinj shtetasit Erion Kallmeti, banor i fshatit Nikël të Krujës.

Fier, nis aplikimi për kartat e identitetit

Fier - Pas 4 ditë pritjeje për vendosjen e linkut në zyrat e aplikimit për karta identiteti, më në fund në qytetin e Fierit nisi procesi normal i punës. Qytetarë, të cilët kishin marrë kuponin në sportelet e Postës Shqiptare, kanë shkuar dhe kanë aplikuar për të marrë kartën e identitetit. Ka qenë prefekti i qarkut Fier, Shahin Bejdaj, ai që ka kryer inaugurimin e fillimeve të punës për këtë proces. Sipas përgjegjëses së të Gjendjes Civile në rang qarku, Lumturi Moçka, mësohet se “në Bashkinë Fier ka nisur aplikimi për t’i pajisur qytetarët me karta identiteti”. Prioritet do t'u jepet shtetasve që nuk kanë asnjë lloj dokumenti identifikimi, por kjo nuk do të thotë se nuk do të aplikojnë qytetarë të tjerë. Në bashkinë e Fierit, janë për t’u pajisur me karta identiteti 80 mijë e 400 banorë, ku 12 mijë prej tyre nuk kanë asnjë dokument identifikimi.

18 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›