E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëmbrojtja ndaj dhunës së bashkëshortit lehtëson dënimin për 28-vjeçaren



Laureta Rryçi

Tiranë - Vetëmbrojtja nga një bashkëshort i dhunshëm i ka kursyer dje të pandehurës Vitore Suçi një të tretën e dënimit. Gjyqtarja Shefkie Demiraj, pas rrëfimit të së pandehurës, vendosi të pranojë pendesën e saj dhe të aplikojë gjykimin e shkurtuar. E pandehura rrëfeu se jo pak herë ishte gjendur në presionin e dhunshëm të të shoqit, Marash Doda, derisa ditën që e goditi me thikë i është dashur të zgjidhte mes jetës së saj dhe të tij. Rrëfimit të gruas iu shtua edhe informacioni që viktima Marash Doda, i cili u qëllua për vdekje, njihej në lagjen e tij si njeri që konsumonte shumë alkool dhe që ushtronte dhunë. Këtë gjë e ka konfirmuar edhe nëna e Dodës pak çaste pasi ka ndodhur krimi.
Rrëfimi
Në seancën e djeshme ndaj bashkëshortes që ekzekutoi të shoqin, trupi gjykues vendosi të pranonte kërkesën e saj për gjykim të shkurtuar. Në kushte shumë të vështira ekonomike, me një bashkëshort që pjesën më të madhe të ditëve e kalonte pa punë, 28-vjeçares i duhej të përballonte dhe dhunën që ushtronte ndaj saj viktima Marash Doda. Ky i fundit rezultonte të ishte divorcuar një herë më parë pikërisht për shkak të dhunës që ushtronte ndaj gruas dhe fëmijëve. Po kështu, policia e kishte skeduar emrin e tij si person që keqtrajtonte familjen nën efektin e alkoolit. Përballë gjithë kësaj situate, vetëm pak kohë nga dita ku ishin martuar, Vitore Suçit i është dashur të zgjedhë jetën e saj ose të burrit. “Nëse nuk do të mbrohesha, sot do të isha unë viktima dhe bashkëshorti im i pandehuri. Nuk e duroja dot më dhunën”, - dëshmoi para trupit gjykues e pandehura.
Dita e krimit
Krimi në familje ndodhi në lagjen e Bregut të Lumit, në zonën e ish-kombinatit “Josif Pashko”, vitin që kaloi. Vitore Suçi, 28 vjeçe, qëlloi një herë të vetme në gjoks në krahun e zemrës Marash Dodën, 40 vjeç. Sipas versionit të Prokurorisë, viktima ka nisur të grindet me të shoqen, duke i kërkuar asaj para dhe duke debatuar me të në sy të prindërve të saj që kishin ardhur nga Paskuqani në familjen Doda për vizitë. Kur prindërit e moshuar të Vitore Suçit kanë dëgjuar konfliktin që po përsëritej brenda një muaji nga martesa e vajzës së tyre, ata kanë vendosur të ndërhyjnë. Babai i Vitores ka debatuar me dhëndrin e tij për mënyrën e sjelljes së tij ndaj së bijës. Më pas, Marash Doda ka goditur vjehrrin e tij me grushte dhe sende të forta në fytyrë. Konflikti fizik mes dhëndrit dhe vjehrrit ka ndodhur në oborrin e shtëpisë. Vitore Suçi ka marrë një thikë dhe ka kërcënuar të shoqin se do ta vriste nëse i prekte me dorë prindërit e saj. Kërcënimi i bashkëshortes së tij të re i është dukur për të qeshur Marash Dodës, por në korridorin e shtëpisë së tij të vogël gruaja nuk është përmbajtur. Ajo ka qëlluar të shoqin me një thikë buke drejt e në gjoks, në krahun e zemrës. Viktima ka mbetur i plagosur rëndë, ndërsa është dërguar në Spitalin Ushtarak, ku edhe ka ndërruar jetë pa shpresë shpëtimi nga sasia e gjakut të humbur.

18 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›