Korçë, ekzekutohet me 7 plumba, 54-vjeçari
KORÇË- Ekzekutohet me 7 plumba pistolete një 54-vjeçar në qytetin e Korçës. Vrasja është regjistruar dje rreth orës 15:00, në Lagjen Nr. 2 të Korçës, ndërsa vrasësit dyshohet të kenë qenë dy persona që i kanë zënë pritë 54-vjeçarit nga Pogradeci disa metra larg shtëpisë së të bijës në Korçë. Avni Hoxha, banor i qytetit të Pogradecit, ka udhëtuar me mjetin tip “Golf” me targa PG 2383 B drejt Korçës, për ta çuar vajzën e tij të martuar në shtëpinë e saj. 54-vjeçari, sapo është ndarë nga e bija, ka rënë në pritë të vrasësve, të cilët e kanë ekzekutuar me 7 plumba pistolete. Sipas burimeve policore, vrasësit janë larguar nga vendngjarja me një makinë. Ndërkohë, policia e Korçës është duke hetuar në disa pista, ku kryesorja është ajo e hakmarrjes. Duke iu referuar burimeve zyrtare të policisë, nuk përjashtohet mundësia e implikimit të viktimës në afera të dyshimta, ndërsa ka qenë i dënuar para viteve ’90 me akuzën e vrasjes.
18 Shkurt 2009