Pranga 20-vjeçares për prostitucion në kryeqytet
Policia arreston në flagrancë 20-vjeçaren me akuzën e ushtrimit të prostitucionit. Burime nga policia e Tiranës pohuan se aksioni policor erdhi pasi specialistë të sektorit kundër trafikut njerëzor dhe shfrytëzimit të prostitucionit, kishte vënë nën përgjim 20-vjeçaren që prej kohësh aktivizohej si punonjëse seksi. Sajmira Kalthi, një vajzë 20 vjeçare lindur në Laç e banuese në Tiranë, u arrestua në orët e para të mëngjesit të sotëm, në flagrancë, nga seksioni kundër Trafiqeve të policisë së Tiranës. Nata duke gdhirë dita e sotme nisi si një kohë pune që në fund do të sillte frytet financiare, por përfundoi me prangosje të “punëtores” dhe shoqërimin e klientit.
Aksioni policor erdhi pasi specialistë të sektorit kundër trafikut njerëzor dhe shfrytëzimit të prostitucionit, kishte vënë nën përgjim 20-vjeçaren që prej kohësh aktivizohej si punonjëse seksi. Sajmira Kalthi, një vajzë 20 vjeçare lindur në Laç e banuese në Tiranë, u arrestua në orët e para të mëngjesit të sotëm, në flagrancë, nga seksioni kundër Trafiqeve të policisë së Tiranës. “Vajza gjendej në hotelin “Villa Verde” në rrugën Karl Gega” të kryeqytetit, kur ajo u kap në flagrancë duke ushtruar prostitucion me një shtetas, kundrejt shumës së parave prej 5 000 lekësh”, thanë për gazetarin e agjencisë së lajmeve NOA, burime zyrtare nga policia e Tiranës. Pas hetimeve të para, policia saktësoi se e arrestuara ishte e dënuar më parë për “ushtrim prostitucioni”. Edhe sot, ajo përballet me akuzë të ngjashme por kësaj radhe, në mënyrë të përsëritur.
Vdes elektricisti, fatale kontakti me korrentin
Tiranë– Një 50-vjeçar pësoi fund të dhimbshëm teksa në punë e sipër ra në kontakt me korrentin duke u paralizuar tërësisht prej saj dhe gjetur vdekje të menjëhershme. Ngjarja ka ndodhur të hënën, rreth orës 07.50 në Shish Tufinë pranë Tiranës, te një kabinë elektrike. I ndjeri, Nazmi Liçi, 50 vjeç, lindur dhe banues në Shish Tufinë, prej vitesh elektricist, ishte duke punuar në kabinë kur befas e gjeti veten të përfshirë nga rryma e tensionit të lartë të energjisë elektrike. Në pak sekonda, pa mundur të shpëtojë jetën e tij, duke u përpjekur të riparojë defektin e linjës së zonës, 50-vjeçari ka gjetur vdekjen.
Në vendngjarje u mblodhën shumë njerëz, disa prej të cilëve e transportuan 50-vjeçarin për në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Por kjo ishte një përpjekje e kotë pasi mjekët e Urgjencës pohuan se i dëmtuari kishte mbërritur atje i vdekur. Burime zyrtare nga Komisariati i Policisë Nr.4 në Tiranë thanë se kanë ngritur një grup hetimor me synim për të zbardhur tërësisht rrethanat dhe shkaqet e kësaj ngjarjeje. “Nga grupi hetimor u konkludua se shkaku i vdekjes dyshohet të jetë nga kontakti me energjinë elektrike, pasi viktima ka qenë duke punuar në kabinën elektrike të zonës, i cili punonte si elektricist”, tha policia. Por materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme, pasi mbetet të sqarohet kush e aktivizoi rrymën elektrike ndërsa elektricisti ishte duke punuar.
Edhe afro dhjetë ditë më parë, një tjetër elektricist humbi jetën pasi energjia elektrike u aktivizua papritur, ndërsa ai ishte duke punuar në një kabinë elektrike. Për këtë ngjarje ende nuk ka rezultate zyrtare hetimore.
Tiranë, vetëvritet 17-vjeçari
Një tjetër 17-vjeçar i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur në oborrin e banesës së tij përdhese në Tiranë. Sipas policisë ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm. 17-vjeçari me inicialet R.D ishte vetëvarur në oborr. Policia po punon për zbardhjen e motiveve që çuan adoleshentin të ndërmarrë aktin fatal. Pak ditë më parë një tjetër 17-vjeçar u gjet i varur në bodrumin e një pallati po në Tiranë. Fenomeni i vetëvrasjes është kthyer këto ditë në një fenomen mjaft shqetësues për shoqërinë shqiptare.
12 Gusht 2008