Tritol në banesën e ish-shefit të Krimeve, në shtëpi ishin 15 veta
POGRADEC - Një shpërthim i fuqishëm tritoli ka vënë në panik familjen e ish-shefit të Krimeve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Elbasanit, Lytfi Bulit, i cili tani ndodhet me banim në Pogradec. Dyshimet e para janë hedhur për një akt të qëllimshëm për shkak të detyrës që ka pasur deri pak muaj më parë ish zyrtari I policisë. Burimet zyrtare të komisariatit të Pogradecit bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi në lagjen Nr. 5 të qytetit. "Tritoli ishte vendosur tek dritarja e katit të parë të shtëpisë private"- thanë burimet nga grupi hetimor, duke shtuar se për fat nuk ka pasur dëmtime në njerëz, por vetëm dëme materiale. Si pasojë e shpërthimit është shkatërruar njëra nga dhomat, aty ku ishte vendosur sasia e lëndës plasëse, si dhe gjithë orenditë që kishte brenda. Burimet vijojnë më tej se ka qenë një sasi e vogël lënde eksplozive që është vendosur, pasi dëmet kanë qenë jo të konsiderueshme. Në banesë, në kohën e shpërthimit kanë qenë rreth 15 persona, pasi mësohet se familjes Buli i kishin ardhur për vizitë edhe krushqia nga Fieri. E sinjalizuar për shpërthimin, policia ka shkuar menjëherë dhe ka nisur punën për zbardhjen e ngjarjes. "Policia po heton në disa pista, ku në krye mbetet ajo e hakmarrjes për shkak të detyrës"- bëjnë me dije burime nga policia, duke shtuar se nuk përjashtohen edhe pista të tjera. Megjithëse të njohur e paraqesin familjen si shumë të qetë dhe që nuk ka pasur probleme. Pak ditë më parë një tjetër shpërthim tritoli ndodhi në komunën e Velipojës në rrethin e Shkodrës. Një sasi lënde eksplozive prej 100 gramësh u vendos në banesën e Gjovalin Zekës, i njohur për denoncimet e bëra rreth abuzimeve me pronat në zonat turistike. Policia shoqëroi mbi 20 persona, por ende nuk është identifikuar dhe prangosur autori.
12 Gusht 2008