Tiranë, 79-vjeçari i dehur ekzekuton bashkëshorten
Laureta Rryçi
Krimi në familje dje ka ndodhur në një nga zonat e Kryeqytetit. Banorët e Sharrës me të gdhirë kanë mësuar se në familjen Lala kishte ndodhur vrasje. Sipas burimeve nga policia Selman Lala, 79 vjeç ka ekzekutuar të shoqen nën efektin e alkoolit. Pak kohë pas ngjarjes menjëherë është njoftuar policia dhe ka prangosur kryefamiljarin me akuzën e vrasjes. Ndërkohë pjesa tjetër e familjes iu është dashur të hapin mortin për t’i dhënë lamtumirën e fundit nënës së tyre, Sofie Lalës.
Ngjarja
Ngjarja e rëndë ka ndodhur dje në Tiranë, kur një burrë i moshuar ka vrarë me armë zjarri pas një grindjeje të çastit gruan e tij. Gjithçka ka ndodhur paraditen e djeshme, në një banesë pranë Sharrës në Kombinat, ku prej kohësh jetonte familja Lala.
Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë për gazetën “Albania” se Selman Lala, 79 vjeç, ka qëlluar për vdekje me armë zjarri të llojit çifte bashkëshorten e tij, 76-vjeçaren Sofie Lala. Sipas burimeve zyrtare, forcat e policisë që shkuan në vendin e ngjarjes pasi realizuan procedurat e para hetimore, arrestuan në kushtet e flagrancës me akuzën e vrasjes 79-vjeçarin Lala.
Motivi
Të njëjtat burime konfirmuan se motivi i këtij krimi brenda familjes është bërë një grindje mes bashkëshortëve, ku autori dyshohet se ka qenë në gjendje të papërgjegjshme. Me cilësinë e provës materiale policia sekuestroi në banesën e familjes Lala armën e krimit (çiften), të cilën 79-vjeçari Lala mësohet se e mbante me leje. Policia ka shoqëruar në komisariatin e zonës, Lalën për ta pyetur për detaje të mëtejshme mbi ngjarjen. Ndërkohë në fillim janë shoqëruar dhe persona të tjerë që kishin dijeni për ngjarjen duke e dokumentuar vrasjen e Sofie Lalës. Pritet që materialet t’i kalojnë prokurorisë. Më tej dosja për Selman Lalën do të mbërrijë në gjykatë ku pritet të jepet ndaj tij masa e sigurisë.
Dhëndri kërcënon gazetarët
Gezim Ahmeti, dhëndri i vrasësit, ka kërcënuar me jetë dje gazetarët e pranishëm në rrugën që të çonte të shtëpia ku ndodhi vrasja. Ai u ka thënë do t’ju vras, do t’ju zhduk në qofte se nuk largoheni fare nga rruga që të çon për në varrezat e Sharrës. Gazetarët po qendrorin rreth 50 metra larg shtëpisë.
12 Gusht 2008