Pranga 21-vjeçarit, kërkohej për plagosje
Policia e Tiranës arrestoi dje një person të shpallur në kërkim për plagosje, ngjarje kjo e ndodhur në prill të këtij viti. Sipas policisë, ditën e djeshme është bërë i mundur arrestimi i 21-vjeçarit Liridon Frroku, person ky i njohur për policinë e Tiranës. Sipas të dhënave të policisë, mësohet se Frroku me orgjinë nga Laçi dhe me banim në kryeqytet, dyshohet si autor i një plagosjeje me thikë të ndodhur më 4 prill të këtij viti në periferi të kryeqytetit. 21-vjeçari dyshohet se në bashkëpunim me një tjetër person kanë plagosur me thikë 24-vjeçarin R.H., ngjarje kjo e ndodhur në mbrëmjen e 4 prillit pranë urës së Babrrusë në kryeqytet. Ngjarja është klasifikuar si plagosje e rëndë me dashje nga ana e prokurorisë. Po ashtu, Frroku rezulton i dënuar me vendim të Gjykatës së Tiranës, si pjesëtar i një grupi të rinjsh që vidhnin automjete, kryesisht “Benz-a” model i vjetër. Më 29 korrik të vitit të shkuar Gjykata e Tiranës ka shpallur fajtor Liridon Frokun, të cilin e ka dënuar me 2 vjet e 8 muaj burg për akuzën e vjedhjes në bashkëpunim kryer më shumë se një herë.