Hyn në fuqi vendimi, KRRT e bashkisë nuk jep më leje ndërtimi
ELBASAN Pezullohen lejet e ndërtimit, hyn në fuqi ligji i ri për urbanistikën. Ligji për Urbanistikën parashikon shkrirjen e KRRT dhe zbatimin e Planeve Rregullues, por deri tani nga bashkitë e mëdha këtë plan e ka të miratuar vetëm Fieri. Nënkryetari i bashkisë Dritan Çepa tha se aktualisht ka mbërritur Drafti dhe Rregullorja, por ato janë praktikisht të pazbatueshme. Në këtë kohë janë duke u trajnuar në Tiranë stafi i bashkisë për zbatimin e ligjit të ri të Urbanistikës. Pritet një fazë transitore deri në miratimin e Planeve Rregulluese. Parashikohet që të veprohet nëpërmjet hartës dixhitale GIS, nëpërmjet sistemit satelitor, por bashkia Elbasan nuk e ka të gjithë territorin në një sistem të tillë. Sipas Çepës, Plani Rregullues do të duhet të përshtatet me kondicionet e ligjit të ri të urbanistikës, gjë që do të kërkojë kohë. Deri në sqarimin e plotë të detajeve të ligjit dhe hapat që duhet të ndiqen, bashkia Elbasan nuk mund të lëshojë asnjë leje ndërtimi. Këtë do ta vuajnë mjaft qytetarët e thjeshtë, që kërkojnë të bëjnë ndërhyrje në banesa apo ndërtime të reja. F.Salliu