E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkonin për në shfaqje, plagosen në aksident dy aktorët

Përplasja ka qenë e fortë dhe si rezultat janë plagosur regjisori Hervin Çuli, aktorja Eralda Çaushi dhe drejtuesi i automjetit Endrit Sh.

DURRËS Dy aktorë të trupës së teatrit “Aleksandër Mosiu” në Durrës janë aksidentuar mëngjesin e djeshëm, ndërkohë që po udhëtonin me automjetin e tyre tip fuoristradë me targa AA 506 BC. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 04.00 minuta në autostradën Tiranë-Durrës. Të lënduarit janë Hervin Çuli, Eralda Çaushi aktorë, si dhe drejtuesi i mjetit Endrit Sh. 35 vjeç. Sipas burimeve zyrtare policore, automjeti i tipit “Tojota” me targa AA506 BC i drejtuar nga shtetasi Endrit Sh 35 vjeç ka humbur kontrollin në një segment të autostradës, duke dalë me shpejtësi në kanalin pranë rrugës. Përplasja ka qenë e fortë dhe si rezultat janë plagosur regjisori Hervin Çuli, aktorja Eralda Çaushi dhe drejtuesi i automjetit Endrit Sh 35 vjec . Në vendngjarje ka mbërritur menjëherë policia, nga ku rezulton se drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin si pasojë e lagështirës në rrugë, duke përfunduar në kanalin anësor të autostradës. Për pasojë të tre shtetasit kanë marrë disa plagë në trup, ku janë dërguar menjëherë për në spitalin ushtarak Tiranë. Burime nga spitali bëjnë të ditur se të dëmtuarit ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa janë nën kujdesin e bluzave të bardha. Aktorët një natë më përpara se të aksidentoheshin ishin protagonistë në premierën e vënë në skenën e teatrit “Aleksandër Moisu” në Durrës, “Suita 51 në hotel Piaca”, me regji të Driada Dervishit. Ndërsa mbrëmjen e ditës së shtunë premiera do të rivihej në skenë, por me dëmtimin e aktorëve protagonistë, mendohet që do të ketë një ndryshim të axhendës. Po dje, për rreth 2 orë autostrada Tiranë-Durrës ka qenë e pakalueshme. Kjo për shkak të aksidentimit të një kamioni i cili është përplasur me trafikndaresen. Një trajler i ngarkuar me bojë ka devijuar nga rruga duke u përplasur me murin ndarës në autostradën Tiranë-Durrës, në afërsi të Sukthit. Si pasojë e përplasjes drejtuesi i mjetit L. Skendi është plagosur lehtë, ndërkohë dëme ka pësuar edhe një karburant që ndodhej pranë vendit ku u përplas trajleri. Ngarkesa materiale e llojit bojë është shpërndarë në gjithë këtë pjesë të autostradës, duke shkaktuar për një kohë të gjatë dhe bllokimin e kalimit të automjeteve nga Durrësi në Tiranë. Forcat e policisë janë përpjekur për të normalizuar qarkullimin, i cili doli jashtë kontrollit, ndërkohë dyshohet se shkak i përplasjes ka qenë lagështira në rrugë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›