Godet me thikë kushëririn e dehur, prangoset
DURRËS Një 42-vjeçar nga fshatrat e Durrësit është arrestuar pasditen e djeshme, disa orë pasi kishte qëlluar me thikë mbi kushëririn e tij. Burime zyrtare nga drejtoria e policisë së qarkut bënë të ditur se ngjarja ka ndodhur dje në orët e para të ditës në fshatin Arapaj, 7 km larg Durrësit. Sipas burimeve, Besim Dule, 45 vjeç, është qëlluar me thikë nga djali i xhaxhait të tij, 42-vjeçari Ismail Dule, tashmë i arrestuar. Sipas burimeve nga policia e Durrësit, mësohet se të dy personat kanë qenë të dehur dhe se 45-vjeçari është plagosur pak minuta pasi ka shkuar në banesën e kushëririt të tij. Ndërkohë, policia po vazhdon hetimet lidhur me ngjarjen, e cila do të zbardhet pas marrjes në pyetje të autorit.