E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, asnjë vizë në kufi për turistët ditorë

 

SHKODER/ RIDVAN DIBRA

Një vendim i qeverisë bllokon turistët ditorë të hyjnë në Shqipëri. “Në kufi nuk mund të merret vizë 72-orëshe, nëse turistët nuk janë me shengen ose të kenë marrë vizë në shtetin e tyre”. Ky vendim është marrë që më 1 dhjetor të vitit të kaluar, por vetëm ditët e fundit është mësuar nga agjencitë turistike, të cilat e kundërshtuan me vendosmëri. Sipas tyre, megjithëse janë operatorët turistikë ata që po punojnë shumë për promovimin e vendit tonë, te shtetasit e huaj, qeveria me ligjet që po merr në këtë fushë po bën një hap prapa. Përfaqësuesit e Shkodrës kanë kërkuar nga qeveria e parlamenti ta ndryshojë këtë vendim, pasi është kundër turizmit dhe do të shkaktojë impakt negativ në këtë kohë krize ekonomike. “Nuk do të jepen viza 72-orëshe në kufi për grupet turistike të organizuar nëpërmjet agjencive turistike”, citohet në ligjin me numër 9959. Pas interesimit të agjencive turistike është mësuar se ky ligj u ndërmor në kuadër të rritjes së sigurisë në pikat tona kufitare. Operatorët që veprojnë në Shkodër pohojnë se ky ligj është absurd, pasi vetëm vitin e kaluar kanë hyrë nga Mali i Zi në Shqipëri mbi 20 mijë turistë rusë dhe ukrainas. Të ndodhur para një realiteti të tillë, operatorët turistikë i bëjnë apel qeverisë anulimin e këtij ligji dhe marrjen shembull nga Kroacia, shtet ky i bazuar pothuaj i tëri mbi industrinë e turizmit. Sokol Hoxha, përfaqësuesi i një prej agjencive turistike, pohon se turistët “tërhiqen” nga Mali i Zi, falë bashkëpunimit që ata kanë me agjencitë e vendit fqinj. Pas kalimit në kufi, turistët vizitojnë qytete të ndryshme tonat, Shkodrën, Krujën, Durrësin, Tiranë etj, për t’u kthyer sërish në Mal të Zi. “Ky ligj është në dëm të interesave të shumë aktorëve në Shqipëri, kur duhet përmendur fakti që vetëm gjatë vitit të kaluar nga pika e kalimit kufitar të Muriqanit kanë hyrë mbi 20 mijë turistë rusë dhe ukrahinas. Vjet, në Mal të Zi, 40 për qind e pushuesve ishin kryesisht nga Evropa Lindore, të cilët njihen për shifrat e larta të shpenzimeve, pasi janë turistë elitar. Operatorët turistikë në Shqipëri kanë që në tetorin e vitit të kaluar që janë përpjekur për të reklamuar dhe për të prezantuar resurset e vendit tonë dhe këtë e kanë arritur duke nënshkruar kontrata me operatorët turistikë homologë të Malit të Zi, për të sjellë turistët të cilët vizitojnë këtë shtet edhe në Shqipëri”, pohon Hoxha. Me ardhjen e këtyre turistëve është një ndihmë për shumë familje që mbahen gjatë sezonit me shërbime si bare, restorante apo shitje suveniresh. Por, përveç dëmit që i shkaktoi turizmit në përgjithësi, Hoxha përmend dhe pasojat që vijnë nga shkelja e kontratës, siç është humbja e besueshmërisë.

Kroçiera

DURRES - Në Durrës është hapur sezoni i kroçierave turistike. Anija luksoze “Kristina” ka sjellë në qytetin më të madh bregdetar të Shqipërisë qindra turistë me shtetësi nga vendet skandinave. Shumica e tyre kanë qenë finlandezë, por nuk kanë munguar, norvegjezët, suedezët apo danezët. Ky lloj i ri turizmi po merr përmasa të konsiderueshme në Durrës, duke njohur rritje vit pas viti. Durrësi konsiderohet si një stacion natyral mes arkipelagut dalmat në Kroaci dhe atij grek në jug. Nisur nga ky pozicion i favorshëm gjeografik, shumë turistë të pasur të kontinentit, tashmë synojnë që në kroçierat e tyre mesdhetare, të përfshijnë në ndalesë edhe Durrësin.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›