E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debati, abrogimi i Ligjit 7501, sjell probleme të rënda sociale.



BERAT – Disa ditë pas replikave mes kryeministrit Berisha dhe kryebashkiakut të Himarës, Vasil Bollano për shfuqizimin e ligjit të ndarjes së tokës, vijnë edhe reagimet nga drejtuesit e strukturave vendore. "Toka duhet ti kthehet pronarit të saj të ligjshëm, por shfuqizimi i Ligjit 7501 do të sjellë probleme të shumta sociale". Kështu është shprehur gjatë një interviste të dhënë për gazetën kryetari i Qarkut Berat, zoti Pelivan Shatri, i cili ka theksuar se ky proces në qarkun e Beratit është shoqëruar me konflikte të shumta mes pronarëve të ligjshëm dhe atyre që janë bërë pronarë në fillimin e viteve “90-të. Shatri ka theksuar se burokracitë kanë më shumë se 17-vjet që e pengojnë procesin e ndarjes së tokës, edhe në ato raste kur pronarët e ligjshëm janë të pajisur me tapi, apo dokumentacionin e trashëgimisë së rregullt të pronës.
Reagimi
Shatri ka pohuar se ky proces është shoqëruar me probleme të ndryshme, të cilat kanë qenë më evidente në zonat e ullishteve në të gjithë rrethin e Beratit. Sipas Shatrit, “toka duhet ti kthehet pronarit, duke u bazuar në tapitë e vjetra dhe duke respektuar trashëgiminë e kësaj prone brez pas brezi, por veprimi i Ligjit 7501 ka bërë në këto toka pronarë të rinj dhe të gjendur në këto kushte, nuk mund të ndryshojmë këtë ligj”. Ai thotë se një ndryshimi i ligjit të miratuar në vitin 1991 do të sjellë probleme të mëdha sociale. Shatri ka theksuar se në pamundësi të ndryshimit të këtij ligji dhe në pamundësi të kthimit të tokës tek pronarët e ligjshëm, toka duhet t’i kompensohet këtij të fundit, por edhe ky proces tashmë është shumë i vonuar. Kryetari i Këshillit të Qarkut Berat, ka pohuar se me gjithë problemet e shumta që janë hasur gjatë në këtë proces, Qarku i Beratit renditet ndër një nga zonat më të përparuar në krahasim me qarqet e tjera të vendit tonë.
Pasojat
Shatri ka pohuar se gjatë ndarjes së pronave janë hasur edhe konflikte të shumta mes pronarëve të ligjshëm dhe atyre që janë bërë pronarë të rinj në bazë të Ligjit 7501,dhe këto konflikte në disa raste janë zgjidhur në Komisionin e Ndarjes së Tokës në Qark, por ka pasur edhe raste flagrante, të cilat janë përcjellë në Gjykatën e Rrethit për zgjidhje. Në Berat por edhe në rrethe të tjera janë regjistruar një numër i lartë krimesh të ndodhura për shkak të konflikteve të pronësisë. Rikthimi i debatit për shfuqizimin e Ligjit 7051 gjatë ditëve të fundit erdhi pas kërkesës që bëri kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano. Por kryeministri Berisha në mbledhjen e qeverisë së javës së kaluar deklaroi prerë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Vetë Berisha ka pasur gjatë gjithë këtyre viteve edhe presionin e partive aleate në qeverisje, si Partia Republikane, e cila ka bërë kërkesa të vazhdueshme për ndryshimin e ligjit kryesor për tokën.

21 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›