“Mrika” mbush 50 vjeç, Shkodra një javë festë
Ndërkohë që kanë kaluar plot 5 dekada nga vënia e operas së parë shqiptare “Mrika” në skenën e teatrit “Migjeni”, Shkodra përgatitet për plot një javë festë. Siç deklarojnë për mediat organizatorët e këtij aktiviteti, shoqata “Prenkë Jakova” dhe Bashkia e qytetit do të organizojnë për mëse një javë veprimtari të ndryshme artistike e kulturore në nderim të këtij përvjetori të shënuar për Shkodrën dhe muzikën lirike shqiptare në përgjithësi. “Mrika”, me muzikë të kompozitorit Prenkë Jakova dhe libret të Llazar Siliqit, u shfaq për herë të parë para publikut shkodran më 1 dhjetor 1958. Në aktivitetet që do të zhvillohen këto ditë, krahas artistëve shkodranë të rinj dhe të brezit të vjetër, publiku do të ketë rastin të ballafaqohet edhe me emra të njohur të artit botëror, të cilët do të jenë enkas në Shkodër për këtë eveniment të rëndësishëm. Organizatorët falënderuan edhe familjen Jakova, e cila ka vënë në dispozicion arkivin personal të saj rreth aktivitetit të Prenkë Jakovës, sidomos me ekspozitën fotografike, e cila mbart në vetvete një pasuri të madhe historike për periudhën e artë të kompozitorit të mirënjohur shkodran. Ndër të tjerash, në teatrin “Migjeni” do të organizohet edhe një koncert jubilar, në të cilin do të interpretojnë 52 instrumentistë të Orkestrës Simfonike, nën dirigjimin e mjeshtrit Desar Sulejmani, i ardhur nga Gjermania. Po kështu, do të jenë solistet shkodrane Rita Dervishi, Mimoza Rakaj dhe Emiliana Palushi, që do të sjellin para publikut pjesë të zgjedhura të operas “Mrika”.
3 Dhjetor 2008